2010-11-08 17:39:07

Kardinali Turan në Teheran për Takimin e shtatë ndërfetar me “Organizatën e Kulturës dhe të Marrëdhënieve Islamike”


(08.11.2010 RV)Krerët e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar do të jenë që nesër në Iran për të marrë pjesë në takimin e shtatë me Qendrën për Dialogun Ndërfetar të “Organizatës së Kulturës dhe të Marrëdhënieve Islamike”. Tema e takimit, që do të përfundojë më 11 nëntor, është “Feja dhe shoqëria: perspektiva të krishtera dhe myslimane”. Nga dikasteri vatikanas do të jenë të pranishëm kryetari, kardinali Zhan-Lui Turan, sekretari, imzot Pier Luigji Çelata dhe kreu i zyrës për Islamin, imzot Khaled Akasheh. Pas një sesioni përurues, takimi do të zhvillohet me dyer të mbyllura. Në ditët e simpoziumit do të bëhet edhe një konferencë në universitetin e Teheranit, për t’u paraqitur studentëve dhe profesorëve, këndvështrimin e krishterë mbi temën. Parashikohet gjithashtu, një vizitë në qytetin e shenjtë të shiitëve, Qom, i cili është edhe qendra kryesore e studimeve për mësimdhënien e fesë islame.








All the contents on this site are copyrighted ©.