2010-11-08 18:35:58

Dëshmi e bilance të shtegtimit të 18-të apostolik të Papës, nga kardinali Sistaç dhe atë Federiko Lombardi.


(08.11.2010 RV)Dashuria me të cilën u rrethua Benedikti XVI si në Galici, ashtu edhe në Katalonjë, mbetet simbol i paharrueshëm për të gjithë ata, që ndoqën nga afër fjalët e gjestet e Papës, gjatë vizitës së tij. Kryeipeshkvi i Barcelonës, kardinali Luíz Martínez Sistaç jep dëshminë e tij, menjëherë pas ngjarjes së madhe, në mikrofonin e Radio Vatikanit:RealAudioMP3

Përgjigje: - Jam shumë i kënaqur nga ky shtegtim i Benediktit XVI në Barcelonë. Ai erdhi plot dashuri për qytetin tonë, për Kishën tonë, për Kishat e tjera, për mbarë Spanjën. Pritja që i bënë qytetarët e Barcelonës ishte tejet e ngrohtë, e përzemërt. Kremtimi i kushtimit të Kishës së Sagrada Familia, tani bazilikë, ishte festë mrekullisht e bukur liturgjike, aq sa të dukej sikur vetë Jeruzalemi qiellor ishte i pranishëm në këtë botë.

Pyetje: - Hirësi, nga sa patë e dëgjuat këto ditë gjatë vizitës në Santiago të Kompostelës një herë, e pak më pas, në dioqezën e Barcelonës, ç’i preku më shumë njerëzit?

Përgjigje: - I preku shumë Papa, një papë me zemër të hapur për të gjithë, që përcjell një mesazh tejet të qartë, të cilin e kupton gjithkush. I thellë e i kuptueshëm. Nuk është lehtë të harmonizohen këto dy cilësi, por Papa i harmonizon. Besoj se edhe njerëzit, që nuk kanë bërë shumë studime, që nuk e mbajnë veten intelektualë, i kuptojnë mesazhet e një intelektuali, si Papa. Kjo është dhanti, është hir, karizmë e Papës sonë, ashtu siç është edhe aftësia e tij për t’u afruar me të gjithë njerëzit, siç është dashuria e tij për të gjithë.

Pyetje: - Edhe protestat për vizitën e Benediktit XVI, për të cilat ndokush foli para se të mbërrinte, nuk e cënuan fare…

Përgjigje:- Jo, faleminderit Zotit. As në Santigo e as në Barcelonë, edhe pse pati ndonjë protestë. Jo, faleminderit Zotit! E kjo, edhe falë aftësisë së Papës për të komunikuar me njerëzit si Bariu i Mirë, si Shën Pjetri, që vjen të vizitojë Kishat. E pritën shumë njerëz; ndërmjet tyre, edhe turma të rinjsh, fëmijësh e bashkëshortësh, e jo vetëm në Sagrada Familia.

Pyetje: - Hirësi, kjo vizitë dyditore tregoi fytyrën e kësaj pjese të Spanjës, që është krenare për rrënjët e veta të krishtera e për të cilën, për fat të keq, gazetat flasin rrallë. Por këtë herë e panë të gjithë këtë fytyrë, që tregon se krishterimi në Spanjë është gjallë, madje tejet i pranishëm...
 
Përgjigje: - Po, mendoj se edhe rinia është në kërkim. Kërkon kuptimin e jetës, kërkon të vërtetën, një të vërtetë, që t’ia ndriçojë të ardhmen. Papa foli. E foli për Jezusin. Duke pasur parasysh se janë të rinjtë e kohës sonë, me gjithë kundërshtitë e tyre, por edhe me dëshirë të zjarrtë, ata që kërkojnë një ikonë të së vërtetës. E këtë e gjejnë tek Papa. Ndoshta nuk kuptojnë gjithçka, por shikoj se diçka e vërtetë e koherente e mbush plot zemrën e tyre.

E, për një bilanc të përgjithshëm të shtegtimit të 18-të apostolik ndërkombëtar të Benediktit XVI, flet, në mikrofonin tonë, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit dhe i RadioVatikanit, atë Federiko Lombardi:RealAudioMP3

Përgjigje: - Do të nisesha nga primati i Zotit, që është një nga përparësitë e papnisë, madje përparësia e kësaj Papnie, siç e ka thënë edhe vetë Papa, disa herë. E Zoti ishte vërtet në qendër të fjalimeve, si në etapën e parë, ashtu edhe në të dytën, sepse takimi me Zotin është edhe caku i shtegtimit. Papën e shqetëson shumë rreziku i harresës së Zotit e i indiferencës së kulturës sonë e kohës sonë për të vërtetat e mbinatyrshme. Prandaj e ndjen fort impenjimin për t’ua kujtuar njerëzve lidhjen themelore me Zotin. Për mua, ky shtegtim ishte nga më të përqëndruarit mbi këtë tematikë. Më pas, nga Santiago, Papa foli edhe fjalë tejet të forta për Evropën, lidhur pikërisht me temën e kujtimit të Zotit e të rrënjëve të krishtera të Kontinentit. Kjo më bëri të kujtoj se Gjon Pali II, pikërisht nga Santiago, i pati bërë Evropës thirrjen e fuqishme që të mos i humbasë rrënjët e krishtera, por t’i bëjë gjithnjë më të kërthnesta. E pas kësaj thirrjeje, në Kompostelë vërshuan turma të mëdha shtegtarësh, duke e bërë Santiagon vend, ku rrënjët e krishtera të Evropës fituan një gjallëri vërtet të dukshme. Benedikti XVI, edhe nga Santiago, i kujtoi Evropës, me një emocion plot pasion, ç’do të ishte, po të harronte rëndësinë që ka prania e Zotit në jetën tonë; ç’do të ndodhte, në se kryqet, në kryqëzimet e rrugëve tona, do të mbeteshin pa kuptimin e tyre të thellë e nuk do të shikoheshin si pika referimi për vlerën e dashurisë e të përkushtimit që ka Zoti për ne e ne për të afërmin tonë. Pastaj, në Barcelonë më duket se tema e takimit të bukurisë me të vërtetën, fesë me artin e me liturgjinë e Kishës, u shpreh në mënyrë vërtet të pashembullt, duke pasur parasysh edhe vendin, në të cilin kremtohej. Nuk e besoj se gjatë Papnisë, ka pasur një liturgji kushtimi, në një mjedis të tillë e me një pasuri të tillë simbolike, si ajo që ndoqëm në Sagrada Familia. Pastaj, duke pasur parasysh pikërisht këtë tempull, Papa nuk mund të mos bënte thirrje për mbrojtjen e familjes. Dua të kujtoj edhe përmasën e dashurisë së krishterë, që ishte tejet e pranishme në këtë shtegtim, posaçërisht në takimin e fundit, atë të pasdites, në Institutin Nen Deu. Prandaj mund të them se nuk ka jetë të krishterë, nuk ka dëshmi të krishterë, pa impenjim konkret për të tjerët, posaçërisht për më të vegjëlit e më të varfërit.

Pyetje: - E vërteta e liria nuk mund të ndahen, Kisha u shërben të dyjave - ishte një koncept tjetër, që shprehu Papa në Santiago të Kompostelës...

Përgjigje: - Po, do të thosha se pastaj, ditën e dielë, e vërteta u bashkua edhe me bukurinë. Ky është një mesazh shumë i rëndësishëm, sepse kuptohet që përmasat themelore, pastaj, takohen e, prej këndej, e vërteta për të cilën flet Kisha, është diçka që krijon vërtet kushtet për zhvillimin e gjithanshëm të njeriut të lirë. E kjo është gjëja më e bukur: shprehet në mënyrat më të mira, në forma që të mahnisin e të joshin...

Pyetje: - Papa i ftoi të gjithë të rizbulojnë lidhjen ndërmjet artit e liturgjisë, sepse njeriu ka nevojë për bukurinë, parë si forcë madhore për zbulimin e Zotit...

Përgjigje: - Po, bukuria gjindet atje, ku njeriu takohet me Zotin, por ndihmon edhe për ta tërhequr njeriun, i cili nuk e ka kuptuar ende propozimin e Kishës e të fesë, e bën të ndjejë joshjen e këtij propozimi. Duhet të gjejmë, e ky është mendimi i shprehur shpesh nga Ati i Shenjtë, gjuhën e përshtatshme për ta shpallur fenë, e gjuha e artit është themelore, sepse shpreh edhe dinjitetin e asaj që ndodh: flitet për Zotin, njeriu takohet me Zotin!

Pyetje: - At Lombardi, duke ndjekur komentet e gazetarëve, a mendoni se mediat, e përmes tyre, njerëzit, e kuptuan mesazhin e Papës?
 Përgjigje: - Njerëzit, sigurisht, po të dëgjojnë, edhe kuptojnë. Gjithsesi besoj se kemi një mesazh, që kalon edhe përmes ngjarjes së madhe, me të gjithë kompleksin e elementeve të saj e me pasurinë e saj. E kjo është bukuria misterioze e liturgjisë së Kishës, sepse shpreh, përmes sjelljeve fetare, përmes fjalëve, përmes këngëve e, në këtë rast, edhe përmes formave artistike të skulpturës e të arkitekturës, pasurinë e mesazhit. Mendoj se kjo ngjarje e madhe do të ketë një domethënie të rëndësishme: do të jetë për Kishën mesazh. Do të kërkojë impenjim, kujdes gjithnjë më të madh për dinjitetin e gjuhës, që duhet përdorur në shprehjen e realitetit kishtar, realitetit të shenjtë, lidhjes me Zotin e me jetën e bashkësisë së krishterë.







All the contents on this site are copyrighted ©.