2010-11-08 17:39:21

19 nëntori, ditë reflektimi e lutjeje për Kolegjin Kardinalor.


(08.11.2010 RV)Dekani i Kolegjit të Kardinajve, kardinali Anxhelo Sodano, përmes një Letre, nënshkruar më 30 tetorin e kaluar, i njoftoi të gjithë anëtarët e Kolegjit si dhe kardinajtë e rinj të zgjedhur se, para kremtimit të Koncistorit të Zakonshëm Publik të 20 nëntorit të ardhshëm, Ati i Shenjtë i fton të marrin pjesë në një ditë reflektimi e lutjeje. Është dita para Koncistorit, 19 nëntori.
Mbledhja do të mbahet në Sallën e Re të Sinodit të Ipeshkvijve, në Vatikan. Do të fillojë me kremtimin e Orës së Mesditës. Pastaj punimet do të hapen me referatin e hyrjes, mbajtur nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone, për të vijuar me diskutimin rreth dy temave: “Situata e lirisë fetare në botë dhe sfidat e reja” si dhe “Liturgjia në Kishën e ditëve tona”.
Pasdite, pas kremtimit të Lutjeve mbrëmësore, do të ketë tre Komunikime:
I pari do të jetë ai me titull: “Dhjetë vjet pas Dominus Iesus” (Deklaratë e Kongregatës për Doktrinën e Fesë), kushtuar universalitetit shëlbues të Krishtit. Do të mbahet nga kryeipeshkvi Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.
I dyti titullohet “Përgjigjja e Kishës ndaj rasteve të shpërdorimeve seksuale”.
I treti i kushtohet Kushtetutës “Anglicanorum coetibus”.
Të dy komunikimet e fundit do t’i bëjë kardinali Levada, Prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë.  







All the contents on this site are copyrighted ©.