2010-11-07 10:56:13

Tempulli Sagrada Familia


(07.11.2010 RV)Tempulli kushtuar Familjes Shenjte të Nazaretit është kryevepra e arkitektit katalan me famë botërore, Antoni Gaudí. Nisma për ndërtimin e një kishe, kushtuar Familjes Shenjte u mor në vitin 1874 nga ‘Shoqata e përshpirtshme e të devoçëmve të Shën Jozefit”. Kantieri, përuruar në vitin 1882, ka realizuar deri më sot vetëm dy fasada, kushtuar Lindjes e Mundimeve të Krishtit, ndërsa e treta, që do të ndërtohet, do t’i kushtohet Lumnisë së Krishtit të Ngjallur,Punimet vijojnë, falë lëmoshëve që vijnë nga mbarë bota e mendohet se do të përfundojnë në vitin 2026, kur do të realizohen 18 kullat e parashikuara në projekt, 12 nga të cilat do t’i kushtohen Apostujve, 4 Ungjilltarëve, një Marisë e, më e larta nga të gjitha (170 metra), Jezu Krishtit. Katër kullat e fasadës, kushtuar Lindjes së Krishtit, të kujtojnë format neogotike, të kurorëzuara siç janë me pinakuj, term arkitektonik, që do të thotë ‘maja të mprehta’, me ndikime të dukshme kubiste. Zbukurimet frymëzohen nga format e ‘Art Nouveau” ndërsa temat përfshijnë termat liturgjike si “Hossana”, “Excelsis” e “Sanctus”. Ndërtesa vigane është pjesë përbërëse e horizontit të Barcelonës, e cila i kushton çdo vit një maratonë, një rrotullim e gjysëm rreth Kishës (një milje=1.609 metra). Maratona e fundit u organizua më 25 prill 2010.







All the contents on this site are copyrighted ©.