2010-11-07 10:55:51

Botafumeiro, kêmtari më i madh në botë


(07.11.2010 RV)Në Katedralen e Shën Jakut në Kompostelë, ruhet kêmtari më i madh në botë, me lartësi 1,60 metra e peshë më se 50 kilogram. Është një nga simbolet më të rëndësishme të Katedrales. Përdoret vetëm me rastin e Meshëve solemne e Meshëve që kremtohen gjatë Vitit Shenjt. Ata, që e lëkundin temjanicën vigane, quhen ‘tiraboleiros”.
Botafumeiro-n e parë (shekulli XVI) punuar krejt me argjend, ia dhuroi katedrales mbreti francez Luigji XI. U vodh më 1809 nga ushtritë e Napoleon Bonapartit.
Botafumeiro, që u përdor gjatë vizitës së Benediktit XVI, është i vitit 1851.
Përdorimi i tij në rrjedhë shekujsh, ka ndryshuar vazhdimisht.
Në fillim përdorej çdo ditë, për të pastruar katedralen nga era e keqe e djersës, që lëshonin shtegtarët, të cilën arrinin në Tempull pas një shtegtimi tejet të gjatë, në këmbë.
Pastaj nisi të përdorej vetëm për raste të mëdha. E rast i madh ishte vizita e Benediktit XVI, veshur me mantelin e shtegtarit, në Katedralen e mbushur plot me erën e mirë të kêmit, shtëllungat e të cilit krijuan një atmosferë tejet mistike.







All the contents on this site are copyrighted ©.