2010-11-07 10:56:02

Barcelona.


(07.11.2010 RV)Qyteti ka 1.621.537 banorë e më se 3 milion në ‘Barcelonën e madhe’. Është qyteti i dytë më i populluar i Spanjës dhe metropoli më i madh mesdhetar i Bashkimit Evropian. Qyteti, i njohur në kohën e fenikasve me emrin Barkeno, duhet të jetë themeluar aty nga shekulli III p. K.. Më pas u pushtua nga romakët, nga vizigotët, nga arabët e nga Karli i Madh, deri në fitimin e pavarësisë e të lindjes së ‘Kurorës së Aragonës’ (1162), që pushtoi shumë troje në Mesdheun perëndimor (Napoli, Sicilia, Athina). Në vitin 1468, bashkimi dinastik ndërmjet Kastilies e Aragonës e zhvendosi qendrën e vet në Madrid, ndërsa kolonizimi i Kontinentit amerikan i dha hov tregtisë me perëndimin, Barcelona ishte qendra e revoltës katalane kundër Filipit IV (1640-52), Napoleonit I e Gjeneralit Franko. Industrializimi i shekullit XX tërhoqi këtu një masë të madhe emigrantësh nga zona të tjera spanjolle, nga Amerika Latine e nga Magrebi arab. Lagjja gotike, zemra historike e qytetit, është shumë e pasur me gjurmë të qytetërimit romak e me monumente mesjetare. Të shumta, dëshmitë arkitektonike të modernizmit katalan, që lulëzoi në periudhën 1885-1950. Ndërmjet tyre shquhen veprat e arkitektit Antoni Gaudí, kryevepra e të cilit është Katedralja Sagrada Familia, ende e pakryer. Qyteti ka disa vepra, si Universiteti i Barcelonës, Politekniku i Katalonjës, IESE Business School etj. që bëjnë pjesë në listën e UNESCO-s, si pasuri botërore të njerëzimit. Të shumtë edhe muzeumet, ndërmjet të cilëve, ai kushtuar Pikasos. Qyteti është shumë i pranishëm edhe në fushën e sportit, me veprimtari nga më të ndryshmet. Kujtojmë Kampionatin Evropian i Atletikës (gusht 2010).

Kryedioqeza e Barcelonës, e ngritur që në shekullin IV, kryeipeshkvni që më 25 mars 1964, Metropoli më 15 gusht 2004, shtrihet në një sipërfaqe prej 339 kmk; ka 2.638.270 banorë, 87% e të cilëve janë katolikë. Për jetën e tyre shpirtërore kujdesen 214 famulli; 151 stacione misionare; 485 priftërinj dioqezanë (4 të shuguruar në vitin e fundit); 468 meshtarë rregulltarë, 748 rregulltarë gjithsej; 2.828 rregulltare; 38 diakonë të përhershëm; 23 seminaristë të kursit filozofik e teologjik; 498 institute edukative, 54 institute bamirësie.
Në Metropolinë e Barcelonës vetëm në vitin 2009 janë pagëzuar 11. 133 fëmijë.








All the contents on this site are copyrighted ©.