2010-11-07 10:56:24

Antoni Plàcid Guillem Gaudí i Cornet, “Arkitekti i Zotit”.


(07.11.2010 RV)Antoni Gaudí është përfaqësuesi më i shkëlqyer i modernizmit katalanas. Ndonëse nuk u lidh drejtpërdrejt me këtë lëvizje, pati të përbashkët me të premisat ideologjike e tematike, të cilave u vuri vulën e talentit të tij gjenial. U bë, kështu, pararendës i ekspresionizmit dhe i rrymave të tjera artistike të pararojës, duke përfshirë edhe surrealizmin.
Gaudí, që njihet si një nga arkitektët më të mëdhenj të shekullit XIX-XX, lindi në Reus, provincë e Terragonës, në Katalonjë, ku edhe u pagëzua, kur ishte në moshën një ditëshe. Prindërit e tij, Françesk Gaudí Serra e Antonia Kornet Bertran ishin teneqexhinj. Megjithëkëtë i krijuan të birit mundësitë për të vijuar shkollën e lartë të arkitekturës në Barcelonë, ku u diplomua në vitin 1878, si pati bashkëpunuar me arkitektët më të mirë të kohës. Më 1878, kur ishte në Paris për Ekspozitën Universale, u takua me industrialistin katalan Eusebi Güell i Bacigalupi, që u bë përkrahësi i tij kryesor, duke i dhënë ndihmë konkrete për realizimin e disa prej veprave, Poezi në gur, që e bënë të pavdekshëm emrin e tij.
Në këtë periudhë Gaudí merrte pjesë gjallërisht në jetën shoqërore të qytetit, nga e cila u tërhoq shumë shpejt, për t’u mbyllur në vetmi të plotë, vetëm për vetem me Zotin e me artin e tij.
Pasi bashkëpunoi për një farë kohe me Joan Martorell, në vitin 1883, kur ishte vetëm 31 vjeç, u emërua arkitekt për ndërtimin e Tempullit Sagrada Familia. E nisi punën nga kripta, për ta vijuar me absidën. Filloi, kështu, vënien në jetë të projektit të një ndërtese monumentale tejet të ndërlikuar, që ia thithi të gjitha energjitë, me vetëdijen se nuk do ta kryente e se brezni të reja arkitektësh do ta vijonin punën e tij. Tempulli do të kishte pak a shumë fatin e Bazilikës së Shën Pjetrit, ku punuan disa artistë gjenialë, duke nisur nga Bramante, për të vijuar me Mikelanxhelon, Berninin e disa të tjerë në një kohë të rrallë, të pasur me gjeni.
Por nuk ishte kjo e vetmja kryevepër e arktitektit të madh: la pas edhe vepra të tjera madhështore, ndërmjet të cilave, Parkun Güell (1900-1914, Barcelonë); Pallatin Güell (1886-1888, Barcelonë); Shtëpinë Batlló (1904-1907, Barcelonë); Kriptën Colonia Güell( 1898-1915) e të tjera, të papërsëritshme.
Më 7 qershor 1926, në sa shëtiste i përhumbur rrugëve, e shtypi një tram. Njerëzit, që e panë ashtu, gjysëm të vdekur, në mes të rrugës, të gënjyer nga pamja e tij tejet e përvuajtur, besuan se ishte ndonjë rrugaç në kërkim të strehës. E çuan, prandaj, në Spitalin e Shenjtes Krygjë, strehë për njerëz të braktisur nga e gjithë bota. Të nesërmen kapelani i Sagrada Familia-s, që vizitonte të varfërit e spitalit, e njohu. Po ishte tepër vonë! Më 10 qershor arkitekti i madh mbylli përgjithmonë sytë, ndërmjet të varfërve, nën një strehë me emrin simbolik e “Shenjtes Krygjë”. Që nga ky çast, barcelonasit e quajtën ‘Arkitekti i Zotit” dhe e përcollën me lot në sy në banesën e fundit, në Kriptën e Sagrada Familia, që e kishte ndërtuar ai vetë.
Kohët e fundit një komitet prej 30 klerikësh, arkitektësh e piktorësh, propozoi që Gaudí të shpallet i Lum e më pas edhe Shenjt. Postulatori i çështjes, e cila tanimë ka filluar, e quajti “Shekullar mistik”, për jetën e tij të thjeshtë, të jetuar në përkim të plotë me parimet e Ungjillit, duke e vlerësuar talentin gjenial si dhuratë të Zotit.
Gjithë figura e tij mund të pëmblidhet në dy binome: “gjenialitet e përvujtëri”, “art e liturgji”! Model për të gjithë artistët e kohëve të reja, të cilët duan të ecin në gjurmët e lumnueshme të atyre, që na lanë trashëgim kryeveprat e padiskutueshme të fesë së krishterë, krijuar me fjalë, me nota, me ngjyra, me forma në hapësirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.