2010-11-07 18:36:58

300 mijë vetë për Meshën e Papës në Sagrada Familia të Barcelonës: shteti të mbrojë familjen e bazuar mbi martesën ndërmjet burrit e gruas


(07.11.2010 RV)Pikërisht në Barcelonë, në tempullin e Sagrada Families, në një atmosferë, ku feja e krishterë ka brumosur çdo gur të kryeveprës së Antoni Gaudì e ku arti rrezaton çdo qoshe e skutë, Papa foli për familjen, për këtë qelizë të shenjtë, mbi të cilën ngrihet shoqëria njerëzore.RealAudioMP3
Shteti të mbrojë me forcë familjen e themeluar mbi martesën ndërmjet burrit e gruas, si edhe të mbrojë shenjtërinë e pacënueshmërinë e jetës: këtë kërkoi Benedikti XVI, në Meshën e kremtuar sot paradite, në kishën, e cila u deklarua bazilikë minore. Kremtimi u ndoq edhe jashtë, përmes ekranëve të mëdhenj, të vendosur nëpër rrugët e qytetit. Gati 300 mijë vetë morën pjesë në Meshë, sëbashku me mbretin Huan Karlos I dhe mbretëreshën Sofia, të cilët e takuan Atin e Shenjtë privatisht, para kremtimit eukaristik.
Papa nuk mungoi ta ngrejë zërin për të ripohuar se dashuria bujare dhe e pazgjidhshme e një burri dhe e një gruaje është kuadroja efikase dhe themeli i jetës njerëzore, që nga barku i nënës, në lindje, në rritje e në fundin e saj të natyrshëm. Aty ku ekzistojnë dashuria dhe besnikëria, lind e i qëndron kohës liria e vërtetë. Duke kundruar kolonat e mrekullueshme të veprës së arkitektit Gaudì, Benedikti XVI kujtoi se nuk mund të kënaqemi vetëm me përparimin e shkencës, nëse ai nuk shoqërohet edhe me përparimin moral:
“Prandaj, Kisha kërkon masa të përshtatshme ekonomike dhe shoqërore, që gruaja të realizojë plotësisht vetveten në shtëpi e në punë, që burri e gruaja, të cilët bashkohen në martesë dhe formojnë familje, të mbështeten me forcë nga shteti, që të mbrohet si e shenjtë dhe e pacënueshme jeta e fëmijëve nga çasti i zënies, që lindja e fëmijëve të vlerësohet, të përkrahet e të mbështetet në planin juridik, shoqëror dhe legjislativ. Për këtë, Kisha kundërshton çdo formë të mohimit të jetës njerëzore dhe mbështet çdo gjë që promovon rendin natyror në gjirin e institucionit familjar”.
Nga Familja e Shenjtë e Nazaretit u frymëzua Shoqata “Miqtë e Shën Jozefit”, e cila në njëzetvjeçarin e fundit të shekullit XIX, mori iniciativën të ndërtojë tempullin dhe ia besoi atë Gaudì, “arkitektit gjenial e të krishterit koherent – kujtoi Papa – pishtari i fesë i të cilit u dogj deri në fund të jetës së tij me dinjitet dhe thjeshtësi të thellë:
“Më mallëngjeu veçanërisht, siguria me të cilën Gaudì, para vështirësive të panumërta që iu desh të përballonte, deklaronte besimin e tij të plotë në Provaninë Hyjnore: “Shën Jozefi do ta përfundojë tempullin”. Për këtë, tani, nuk është pa kuptim fakti, që kushtimin e tempullit e bën një Papë me emrin Jozef në pagëzim”.
Tre janë librat, nga të cilat frymëzohej arkitekti katalan për të konceptuar Sagrada Familien, “këtë lavd për Hyjin në gur”: libri i natyrës, libri i Shkrimit Shenjt dhe libri i Liturgjisë. Ai – shpjegoi Benedikti XVI – ndërthuri brenda kësaj ndërtese të shenjtë, gurë, pemë dhe jetë njerëzore, që të gjitha krijesat t’i thurnin lavde Zotit, por njëkohësisht nxorri jashtë “pikturat mbi elter”, për ta vendosur para njerëzve misterin e Hyjit. Realizoi pra, një nga detyrat më të rëndësishme: kapërceu ndarjen ndërmjet diturisë njerëzore dhe diturisë së krishterë, ndërmjet ekzistencës në këtë botë kalimtare dhe jetës së amshuar, ndërmjet bukurisë së gjërave dhe Zotit si bukuri. Papa vuri në dukje rolin e pazëvendësueshëm të bukurisë në jetën e njeriut:
“Bukuria është nevojë e madhe e njeriut; është rrënja nga ku lind trungu i paqes dhe frutat e shpresës. Bukuria na zbulon Zotin, sepse, si Ai, vepra e bukur është krejtësisht falas, na fton drejt lirisë dhe na shkëput nga egoizmi”.
Duke përdorur figurativisht gurët, që mbajnë krejt kompleksin e Sagrada Families, Papa theksoi së është Krishti guri, që mban peshën e botës, që ruan bashkimin në Kishë, që i jep asaj përmbajtjen e që bashkon në një të gjitha fitoret e njerëzimit. Nga Krishti – tha Benedikti XVI – Kisha merr jetë, Ai është shkëmbi mbi të cilin bazohet feja jonë. Që këndej, këshilla: “T’i tregojmë botës fytyrën e vërtetë të Zotit, Zot i paqes dhe jo i dhunës, i lirisë dhe jo i detyrimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.