2010-11-06 15:24:33

Papa në përshëndetjen e parë drejtuar Spanjës: Evropa të kujdeset jo vetëm nevojat materiale, por edhe për ato shpirtërore.


(06.11.2010 RV)Nisi sot shtegtimi i 18-të Apostolik i Benediktit XVI: vizitë dyditore në dy lokalitete me traditë të lashtë katolike, Santiago i Kompostelës, i lidhur ngusht me ritin e shtegtimit tek Varri i Shën Jakut Apostull, që kremton Vitin e tij jubilar, dhe Barcelona, ku Papa do të kremtojë ritin e kushtimit të Tempullit Sagrada Familia, ende i papërfunduar, 128 vjet pas ngritjes së kantierit vigan, gjithnjë në aktivitet.
Benedikti XVI arriti sot paradite në Santiago të Kompostelës, etapë e parë e vizitës së tij apostolike në Spanjë. U nis në orën 8. 30 nga Roma, për të arritur në kryeqendrën e Galicisë rreth orës 11.30.RealAudioMP3
“Vij si shtegtar për t’i nxitur Spanjën dhe Evropën t’u japin forcë të re rrënjëve të krishtera”. Me këto fjalë, shqiptuar nga Papa në aeroportin ndërkombëtar të Santiagos së Kompostelës, nisi shtegtimi i 18-të Apostolik i Benediktit XVI. Duke arritur në Galici, Ati i Shenjtë kujtoi sesi tradita e krishterë la gjurmë të pashlyeshme në Spanjë e në të gjithë Kontinentin e Vjetër. Që nga thellësitë e zemrës, tha Papa, njeriu është gjithnjë për udhë e gjithnjë në kërkim të së vërtetës.
Por për veprimtaritë kryesore të paradites, të ndjekim të dërguarin e Radio Vatikanit në Spanjë. Nga Santiago, Paolo Ondarza:

 
“Një Papë në shtegtim me Kishën e njerëzimin, gjithnjë në kërkim të së vërtetës. Benedikti XVI iu paraqit kështu Spanjës, duke arritur në aeroportin ndërkombëtar të Santiagos të Kompostelës. Kisha është në shtegtim, tha Ati i Shenjtë, e njëkohësisht kryen edhe shtegtimin e vet shpirtëror, atë që e nxit, përmes fesë, shpresës e dashurisë ta bëjë të dukshëm Krishtin për botën, të jetë, në mes të njerëzve, prani e vetë Zotit:
“.. edhe unë, tha Papa, u vura për udhë për të përforcuar vëllezërit në fe. Vij si shtegtar në këtë Vit Shenjt Kompostelan e mbart në zemër vetë dashurinë e Krishtit, që e shtynte Shën Palin Apostull të nisej për shtegtimet e tij, me dëshirën e zjarrtë për të shkelur edhe në trojet spanjolle”.
Benedikti XVI e shprehu kështu dëshirën për t’u bashkuar me radhët e shtegtarëve, burra e gra, që në shekuj kanë arritur nga të katër anët e botës në Kompostelë për t’u lutur tek varri i Shën Jakut Apostull. Ata, vijoi Papa, me gjurmët e hapave të tyre, krijuan udhën e kulturës, të lutjes, të kthimit tek Zoti, rrugë që u konkretizua në Kisha e spitale, në bujtina, ura e manastire. Në këtë mënyrë, vijoi, Spanja e Evropa zhvilluan një fizionomi shpirtërore, mbi të cilën la vulën e vet të pashlyeshme Ungjilli i Krishtit.
Një Papë dëshmitar e lajmëtar i Ungjillit edhe për Barcelonën, qytet ku do të shkojë sonte, për të fuqizuar fenë e popullit të atij, të cilin Benedikti XVI e quajti qytet mikpritës e dinamik:
Një fe, që u mboll në agimet e krishterimit, që mbiu e u rrit falë ngrohtësisë së shembujve të panumërt të shenjtërisë, tha Papa, duke kujtuar Injacin e Lojolës, Terezën e Jezusit, Gjonin e Kryqit, Françesk Saverin, të cilët themeluan institucione të shumta bamirësie, kulture, edukimi”.
E po kjo fe, vijoi, frymëzoi arkitektin gjenial Antoni Gaudí në punën për ndërtimin e Sagrada Familia. Ati i Shenjtë shprehu gëzimin e tij, duke kujtuar se nesër do të kremtojë ritin e kushtimit të kësaj kishe, në të cilën pasqyrohet madhështia e shpirtit njerëzor, që hapet, për t’i bërë shteg Zotit.
Duke kujtuar traditat, sukseset, por edhe vështirësitë që kalon vendi, Benedikti XVI e nxiti Spanjën dhe mbarë Evropën për ta ndërtuar të tashmen e për ta projektuar të ardhmen duke u nisur nga e vërteta e mirëfilltë mbi njeriun, nga liria, që e respekton këtë të vërtetë e nuk i hap kurrë plagë e nga drejtësia për të gjithë, e sidomos, për njërëzit më të varfër e më të braktisur:
Një Spanjë e një Evropë, që shqetësohen jo vetëm për nevojat materiale të njerëzve, por edhe për ato morale e shoqërore, shpirtërore e fetare, sepse të gjitha këto janë kërkesa të mirëfillta të njeriut e vetëm kështu punohet në mënyrë të suksesshme, të gjithanshme e frytdhënëse për të mirën e tij”.
Mjegulla e dendur, që zbriste nga qielli i Santiagos mbi format mahnitëse të Katedrales së lashtë, nuk mundi ta fshihte gëzimin dhe entuziazmin e 200 mijë besimtarëve, që kishin rendur rrugëve e shesheve për të përshëndetur Atin e Shenjtë, i cili iu përgjigj entuziazmit me entuziazëm përmes përshëndetjes drejtuar të gjithëve në gjuhën galege:
Duke ia besuar ndërmjetësimit të Shën Jakut Apostull praninë time mes jush, i lutem Zotit t’ju bekojë të gjithëve. Shumë faleminderit!”.
 
Kisha është në shërbim të së vërtetës e të lirisë, nuk mund të heqë dorë nga asnjëra prej këtyre dy përmasave: këtë theksoi Papa gjatë vizitës në Katedralen e Santiagos së Kompostelës, ku shkoi menjëherë pas ceremonisë së mirëseardhjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.