2010-11-06 18:41:13

Biseda me gazetarët. Papa: të promovohet takimi, jo ndeshja, ndërmjet fesë e laicitetit.


(05.11.2010 RV)Siç është bërë tashmë e zakonshme, gjatë fluturimit të avionit drejt Spanjës, Papa ceku shkurtimisht temat që përshkojnë shtegtimin e tij të 18-të apostolik, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të pranishëm. Në mënyrë të posaçme uroi që feja e laiciteti të takohen, jo të ndeshen, çështje që luan rol të dorës së parë në kulturën spanjolle. Papa foli pastaj për përvojën e tij si shtegtar drejt Santiagos së Kompostelës dhe dha vlerësimin personal mbi veprën e Antoni Gaudí, arkitekt i Bazilikës së Sagrada Familia të Barcelonës.
Një nga përgjigjet, që u interesonte më shumë gazetarëve, ishte ajo e rolit të dikasterit për Ungjillëzimin e Ri, shoqëruar me pyetjen tjetër, në se Spanja do të jetë një ndër vendet e para, me të cilat do të merret organizmi i ri i Vatikanit. Benedikti XVI pranoi sinqerisht se “Spanja ka qenë “Vendi i zanafillës së fesë”, por edhe vendi ku u zhvillua një laicitet, një antiklerikalizëm e një shekullarizëm i fortë e agresiv”. Gjithsesi, pohoi Ati i Shenjtë, horizonti i dikasterit është shumë më i gjërë:
“Duke e themeluar këtë dikaster, mendova për mbarë botën, sepse risia e mendimit, vështirësia për të menduar me konceptet e Shkrimit Shenjt, të teologjisë, është universale... Por është po aq e vërtetë se në Spanjë ka lindur një laicitet, një antiklerikalizëm e një shekullarizëm i fortë e agresiv”.
Gjithsesi Papa uroi takimin e jo ndeshjen ndërmjet fesë e laicitetit, e në këtë takim kultura spanjolle mund të luajë një rol qëndror. Në të njëjtin drejtim edhe pyejtja për lidhjen ndërmjet fesë, artit e bukurisë. “Ju e dini se unë ngulmoj fuqimisht mbi lidhjen e fesë me arysen”, u kujtoi Papa gazetarëve, duke shtuar edhe:
“.. e vërteta, qëllim e jetë e arsyes, shprehet në bukuri e bëhet dhe vetë bukuri. Prandaj atje ku ka vërtetësi, duhet të lindë edhe bukuria; atje ku njeriu realizohet si duhet, realizohet mirë, bën edhe gjëra të bukura. Lidhja ndërmjet së vërtetës e bukurisë është e pandarë, e prandaj kemi nevojë për bukuri”.
Art, fe e bukuri ishin edhe pikat e referimit të Antoni Gaudí, falë gjenisë së të cilit u ngrit Bazilika Sagrada Familia e Barcelonës, që Papa do ta kushtojë nesër. E në këtë krijim, ndonëse të pakryer, vërejti Benedikti XVI, shkëlqejnë në mënyrë të veçantë tre elemente: sinteza ndërmjet vazhdimësisë e risisë; sinteza ndërmjet kuptimit të Krijimit, Shkrimit Shenjt e Adhurimit, mesazh shumë i rëndësishëm për ditët tona e, së treti, devocioni për Familjen e Nazaretit, që e ka rrënjën historike në vitet 1800:
“Pikërisht ky devocion, mund të themi se është aktualiteti më i madh, sepse problemi i familjes, i përtëritjes së familjes si qelizë themelore e shoqërisë, është tema e madhe e së sotmes, që tregon se ku mund të shkojmë si në ndërtimin e shoqërisë e në unitetin ndërmjet fesë e jetës, ashtu edhe në atë ndërmjet fesë e shoqërisë. Familja është tema themelore, që shprehet këtu, duke na kujtuar se Zoti u bë bir i një familjeje e na bën thirrje të ndërtojmë familjen e vërtetë e të e jetojmë në të".
Më pas Benedikti XVI u ndalua tek kuptimi i shtegtimit. Të jesh për udhë, theksoi, duke kujtuar të gjitha qytetet që ka vizituar gjatë jetës, është një shprehje që e gjeni në jetëshkrimin tim. Por të jesh shtegtar ka edhe kuptimin e thellimit të fesë. Duhet që nganjëherë, ftoi Papa, të dalim nga e përditshmja, nga bota e fitimit, e dobisë, e utilitarizmit, për të qenë vërtetë për udhë drejt së mbinatyrshmes:
"Kështu është edhe shtegtimi: jo vetëm dalje nga vetvetja e vogël për të ecur drejt realiteteve më të mëdha, por edhe ecje së bashku. Mjafton të themi se shtegtimi i Shën Jakut është një nga elementet e formimit të identitetit të përbashkët evropian, e edhe sot rilind kjo lëvizje, kjo ëndërr për të qenë në lëvizje, shpirtërisht e fizikisht, për t’u takuar me të tjerë e për të gjetur kështu heshtjen, lirinë, përtëritjen, për të gjetur vetë Zotin!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.