2010-11-05 17:26:50

Shkodër:101 foto për Meshën që i parapriu lëvizjes demokratike në Shqipëri


Në 20 vjetorin e kremtimit të Meshës së parë, pas ndalimit të fesë nga regjimi komunist në vitin 1967 në Shqipëri, Kryeqiodeza e Shkodrës hapi një ekspozitë me 101 foto, ku janë fiksuar momente nga kjo ngjarje që i parapriu lëvizjes demokratike në vend.
Ekspozita në kujtim të Meshës së 4 nëntorit 1990, e kremtuar nga dom Simon Jubani në prani të shumë shkodranëve, pa dallim feje, në kapelën e varrezave katolike të Rrmajit, u hap në sallën kulturore "Kardinal Mikel Koliqi" pranë katedrales "Shën Shtjefni" të qytetit të Shkodrës, në bashkëpunim me studion fotografike "Nënshati".
Angjelin Nënshati, fotograf i njohur shkodran, i cili sot nuk jeton, ka fiksuar në celuloid ngjarjet e 20 viteve më parë.
Leon Nënshati, më i madhi ndër katër djemtë e fotografit Angjelin Nënshati, thotë se "ekspozita përkujton kryesisht ato çaste të asaj dite, si dhe të një jave më pas, me datë 11 Nëntor, ku pjesëmarrja e besimtarëve katolikë dhe mbarë popullit shkodran dhe më gjerë, kapte shifrat e mbi 50 mijë vetëve."
"Ekspozita përbëhet nga 15 stenda, në të cilën, krahas dy momenteve kulmore të meshave përkatëse, janë të ekspozuar 110 fotografi dhe citate prej tre librave, atij të Gjon Palit të Dytë, gjatë vizitës së tij në Shkodër, dhe të dy librave të Dom Simon Jubanit, "Burgjet e mija" dhe "Mesha e parë". Ekspozita përmbledh një ecuri historike, e cila fillon nga persekutimet e komunizmit, tek rrënimet dhe shembjet e kishave, martirizimin e kishës, kremtimin e meshës së parë, dhe momentet të tjera të jetës kishtare në Shkodër, dhe rajonin përreth.







All the contents on this site are copyrighted ©.