Atë Federiko Lombardi në editorialin e tij komenton vizitën e Benediktit XVI në Spanjë:
Papa, populli dhe bamirësia
(05.11.2010 RV)Nesër, Papa Benedikti XVI shkon në Spanjë, për shtegtimin e
tij apostolik në Barcelonë dhe në Santiago të Kompostelës. Këtij udhëtimi ia kushton
komentin javor, zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, drejtori ynë i përgjithshëm.
Ndalet në tri çastet kryesore të vizitës dy ditore të Atit të Shenjtë. Ta dëgjojmë: “Ka
njëmijë gjëra të bukura, që mund të thuhen për këtë udhëtim të Papës në Spanjë. Dua
të kujtoj dy aspekte, që të mos mbesin në hije. Santiago është vendmbërritja
e një populli të panumërt, që vihet për udhë me përvuajtëri e në kërkim të Zotit.
Ngjarje të shumta të jetës, me sekretet dhe misterin e tyre të thellë, si përrenj
të shpejtë grumbullohen në lumin e madh të popullit në rrugë. Papa është sot shtegtar
mes shtegtarëve, ai si person, ai si bari. Sa njerëz shkojnë andej-këndej pa gjetur
as drejtimin e as fundin. Drejt Santiagos, rruga e shumë vetëve ka gjetur një yll,
një cak. Sëbashku me Papën, le ta përballojmë me besim rrugën tonë. Edhe
ndërtimi i Sagrada Families është vepër e një populli të përvuajtur e të panumërt.
Është ky popull, që e bën të rritet dalëngadalë, me kontributin e vet të vogël e me
përkushtim të madh, e jo fuqitë e kësaj bote. Gaudì mbetet shpirti i kësaj vepre,
por ajo i kalon kufijtë e veprimtarisë së tij, shkon përtej në kohë e në shprehje
artistike, pavarësisht se ia ruan frymëzimin e fuqishëm, që vjen nga feja dhe arti
i tij. Kështu ngrihet shtëpia, ku populli besimtar gjen vetveten në takimin me Krishtin,
me Zotin. Por në muret e saj të jashtme, çdo njeri, edhe ai që nuk beson, mund të
lexojë interpretimin më të thellë të ngjarjeve njerëzore. Gjuhë universale për shpalljen
e shpëtimit. Këtu, Papa deshi të vijë për t’u lutur me popullin. E pastaj,
takimi me të vegjlit e me të vuajturit në pasditen e së dielës. Nuk mund të mungojë.
Nuk ekziston bashkësi besimtarësh pa dashurinë me fakte, e aftë ta shndërrojë, ta
transformojë vuajtjen në shpresë e në gëzim. Bamirësia e jetuar është ylli i udhës,
është gjuha e përditshme, që të gjithë mund ta kuptojnë. Këndej, kalon medoemos edhe
rruga e Papës”.