2010-11-04 13:27:25

Çelësi i fjalëve të Kishës: "ringjallja"


(04.11.2010 RV)Të dashur dëgjues, siç e përmendëm, sot bie 20 vjetori i meshës së parë, të kremtuar në Shkodër, kur komunizmi ishte në grahmat e fundit. Atë ditë, u ringjall Kisha e feja, morën jetë besimtarët e u çlirua zemra një populli, që e kishin detyruar të jetonte pa Zot. U ringjall Krishti edhe në Shqipëri, u kthye Hyji! Duke marrë shkas nga kjo ngjarje e shënuar, do të flasim sot për “ringjalljen” dhe kuptimin e saj në Shkrimin e Shenjtë.


“Në qoftë se Krishti me të vërtetë nuk është ngjallur, atëherë i kotë është predikimi ynë – i kotë besimi juaj”. Këto fjalë lapidare të Shën Palit Apostull drejtuar të krishterëve të Korintit (1 Kor 15,14) shprehin qartë se feja e krishterë ka në qendër Pashkët. Gjithçka fillon në atë agim pranvere, kur gratë, që erdhën për të nderuar një trup pa jetë, dëgjuan engjëllin, i cili u tha: “U ngjall, nuk është këtu!”. Është lajmi, që do të përsëritet me shekuj e që do të bëhet thelbi i mesazhit të krishterë, thelbi i liturgjisë, i përshpirtërisë, i teologjisë dhe i artit të krishterë. Krishti nuk është ndonjë hero, që vdes me lavdi, por është i Gjalli më autentik, që ka ekzistuar ndonjëherë. Ai merr pjesë në jetën njerëzore me anë të vdekjes, por është gjithnjë Biri i Zotit, që ringjallet.
Dy janë fjalët greke në Besëlidhjen e Re, që përkufizojnë ngjarjen e Pashkëve. E para është “eghéirein”, që do të thotë “rizgjim” nga gjumi i vdekjes për vepër të Atit të Gjithpushtetshëm. Është e qartë se përdoret një simbol, ai që e përfytyron vdekjen si gjumë dhe jetën si qëndrim zgjuar. Fjala derivate nga kjo, që shpall Pashkët, është “eghérthe”, “u ringjall” (Mk 16,6), e në të përvijohet vizioni i famshëm i kapitullit 37 të Librit të Ezekielit, ku Shpirti i Zotit u jep jetën skeleteve të një lugine të pafund, duke i bërë të ecin.
Por ka edhe një fjalë të dytë, që përdoret për të përkufizuar ringjalljen, e ajo është “anístemi”. Do të thotë “të ngrihesh në këmbë”, gati të dalësh nga varri e nga toka drejt qiellit, shenjë e hyjnisë së lavdishme. Në vazhdën e këtyre fjalëve, në Besëlidhjen e Re dallojmë dy mënyra përshkrimi të Pashkëve të Krishtit. Ato janë një mënyrë për të ilustruar misterin , që përmblidhet në atë ngjarje, një realitet, që s’mund të reduktohet thjesht në sjelljen në jetë të një kufome, si ajo e Lazrit, apo e birit të vejushës së Nainit, apo e bijës së kreut të sinagogës së Kafarnaumit, të cilët, gjithsesi, janë të destinuar të vdesin përsëri.
Më ringjalljen, ashtu siç e përfytyron fjala “zgjim”, nënvizohet se Krishti del nga barku i vdekjes e kthehet në jetë, është i pranishëm në histori. Jo më kot, kur u paraqitet dishepujve pas ringjalljes, i lë ta prekin, flet, ha bashkë me ta. Krishti nuk është pra, ndonjë fantazmë, që mund të thirret me magji, siç sqaron shën Luka Ungjilltar: “Të tmerruar dhe të frikësuar mendonin se po shihnin ndonjë shpirt…Më prekni e vërtetojeni! Shpirti s’ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!” (Lk 24,37.39).
Me ringjalljen, ashtu siç e përfytyron “ngritja në këmbë”, nënvizohet se Pashkët janë një ngjarje, që nuk varet nga koha dhe hapësira. I Ringjalluri është zanafilla e çlirimit nga e keqja e nga vdekja, është Zoti i lavdishëm, Biri i Hyjit drejt të cilit shkon krejt njerëzimi për të gjetur shëlbimin, ringjalljen e jetën e amshuar. Për këtë arsye, pranë fjalës “anístemi” (të ngrihesh) përdoret një tjetër edhe më e qartë, “hypsoùn” (të lartohesh). Thotë shën Gjoni Ungjilltar, duke cituar Krishtin: “E unë kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit… Kur ta ngritni Birin e njeriut, atëherë do ta merrni vesh se UNË JAM” (Gjn 12,32; 8,28). E “UNË JAM” në Bibël është vetë emri i Zotit. “Unë jam, ai që jam” thuhet në Librin e Daljes (3,14).








All the contents on this site are copyrighted ©.