2010-11-04 15:26:33

Papa në Meshën për kardinajtë e ipeshkvijtë e vdekur: Zoti nuk i shfaqet njeriut si dënim, por si mëshirë pa kufi


(04.11.2010 RV)Të jesh i krishterë do të thotë të parapëlqesh gjërat e Zotit, pa i përbuzur ato njerëzore. Do të thotë edhe të jesh i vetëdijshëm se Zoti nuk sillet si padron i njeriut, por e do atë me një mëshirë pa kufi. Këto ishin mendimet e Papës Benedikti XVI në meshën e paradites së sotme, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, për shpirtin e kardinajve dhe ipeshkvijve të vdekur gjatë këtij viti.

Jehona e fjalëve të shqiptuara spontanisht dje, në fund të katekizmit në Sallën Pali VI në Vatikan u ndje e fortë dhe e menjëhershme: çfarë e ndyn shpirtin duhet hedhur, por pa u larguar nga impenjimet e kësaj bote. Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë iu kthye edhe një herë një koncepti të ngjashëm, duke u nisur nga ftesa e Shën Palit Apostull për të kërkuar “gjërat atje lart” e jo ato tokësore:
“Jeta në Krishtin sjell marrjen e një vendimi, heqjen dorë plotësisht nga gjithçka që – si peshë e rëndë – e mban njeriun të lidhur me tokën, duke korruptuar shpirtin e tij. Kërkimi i “gjërave atje lart” nuk do të thotë që i krishteri të harrojë detyrat e impenjimet tokësore, por nuk duhet të humbasë në to, si të kishin vlerë përfundimtare. Thirrja për të parë drejt Qiellit është ftesë për të kuptuar sa relative është çdo gjë e destinuar të kalojë, përballë atyre vlerave, të cilat mbeten, pavarësisht nga koha”.
Papa iu rikthye këndvështrimit të krishterë mbi vdekjen dhe mbi misterin e Ringjalljes, mbi faktin se besimtari është shtegtar mbi këtë tokë, si “një i huaj drejt amshimit”, tha Benedikti XVI. Ati i Shenjtë përmendi emrat e gjashtë kardinajve, që u ndanë këtë vit nga kjo jetë si edhe shumë ipeshkvij e kryeipeshkvij, barinj të zellshëm, të cilët me dëshirën për të ndjekur Jezusin, shijuan që kur ishin gjallë, jetën e amshuar të premtuar nga Krishti:
“Shprehja “jetë e amshuar”, në të vërtetë, përcakton dhuratën hyjnore për njerëzimin: bashkimin me Zotin në këtë botë e plotësimin e tij në botën e ardhshme. Jetën e amshuar e kuptojmë nga Misteri i Pashkëve të Krishtit e feja është rruga për ta arritur”.
Një nga pjesët qendrore të Ungjillit, vërejti Benedikti XVI, është shpjegimi, që vetë Jezusi i jep Nikodemit, se sa e madhe është dashuria e Zotit për botën, aq sa t’i dhurojë Birin e tij të vetëm. Jemi, theksoi Papa, para një akti vendimtar e përfundimtar, me të cilin Hyji kapërcen pragun e vetmisë sonë të fundme, kapërcen pragun e vdekjes e zhytet në errësirën e frikës sonë ekstreme:
“Është kjo një pjesë, që e fshin krejtësisht idenë e një Zoti të largët dhe të huaj për rrugën e njeriut, duke na zbuluar fytyrën e Tij të vërtetë: Ai na dhuroi Birin e tij për dashuri, për të qenë afër nesh, që ta ndjejmë praninë e Tij, për të na ndihmuar e për të na mbajtur me dashurinë e Tij, që e gjithë jeta të marrë shpirt nga kjo dashuri hyjnore… Zoti nuk sillet si padron, por i do njerëzit pa kufi. Nuk e shfaq pushtetin e Tij të pamasë përmes dënimit, por përmes mëshirës e faljes”.
Ta kuptosh këtë, vazhdoi Papa, do të thotë të hysh në misterin e shëlbimit: Jezusi erdhi për të shpëtuar e jo për të dënuar. Me Flijimin në Kryq, Ai na zbulon fytyrën e dashurisë së Zotit:
“E pikërisht për hir të besimit në dashurinë e jashtëzakonshme dhuruar në Jezu Krishtin, ne e dimë se edhe forca më e vogël e dashurisë është më e madhe se forca më e madhe shkatërruese e mund ta shndërrojë botën. Për hir të këtij besimi ne mund të kemi shpresë në jetën e amshuar e në ringjalljen e korpit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.