2010-11-04 10:59:39

Në festivalin e filmit në Romë, Ungjijtë e fëmijërisë së Krishtit, në filmin “Unë jam me ty”.


Regjisori italian Guido Kieza, i mirënjohur për impenjimin e tij politik, që përshkon filmat e tjerë, realizuar prej tij, paraqiti për konkurim në Festivalin e Filmit të Romës, një vepër, që nuk pritej, realizuar duke u mbështetur mbi Ungjijtë e fëmijërisë së Krishtit. Në qendër të gjithë krijimit kinematografik, janë Maria e Jezusi. Titulli, “Unë jam me ty”, pasqyron dashurinë e besimin që kanë Nëna e Biri në misterin e Hyjit e në planin e tij të shëlbimit për mbarë njerëzimin.
Një nënë e një bir. Luajnë, qeshin, shikohen sy në sy, përqafohen. Sapo ndjehet rreziku, vrapojnë në krahët e njeri-tjetrit. Janë gjithnjë pranë, në gëzim e në vaj. Skena të tilla ndiqen njëra pas tjetrës, që në fillim të këtij filmi, të cilin me sa duket regjisori e mendoi gjatë, deshi ta realizonte me çdo kusht, e ndjeu si nevojë shpirtërore, që nga krijimi i skenarit, të përpunuar shumë herë, deri te paraqitja në konkurs. “Ia nisa me një punë të tipit racional, materialistik, intelektual, emotiv. Por dalngadalë puna artistike u kthye në një akt feje e besimi në Ungjillin, që zbulohej e rrëfehej në skenat e filmit” tregon autori. Jemi larg nga ikonografia tradicionale, jemi përkrah Pasolinit, për karakterin thelbësor të pamjeve e për trajtimin e personazheve. Historia nuk shijohet vetëm artistikisht, por kryesisht, shpirtërisht. Të prek zemrën, të çon në sfera të mbinatyrshme. Maria e filmit nuk është grua e përvujtë, që luan një rol të dorës së dytë në familjen e saj patriarkale. Ka temperament të butë e të fortë njëherësh, i kundërvihet dhunës e detyrimeve rituale, krijon me të birin një lidhje të bazuar mbi besimin e mbinatyrshëm, që në film nuk shihet, por vetëm ndjehet. Vetë Guido Kieza shpjegon pse Ungjilli i Fëmijërisë së Jezusit e mahniti kaq shumë, ndonëse ndonjë episod u frymëzua nga Ungjijtë apokrifë, ndoshta për t’i dhënë origjinalitet rrëfimit filmik. “U përpoqa t’u drejtohem të gjithëve, pa dallim kulture e feje, për t’u propozuar një model pozitiv, të bazuar mbi dashurinë, fjalë kjo që sot përsëritet aq shumë, e nëpërkëmbet aq shumë. U përpoqa të krijoj një mjedis sa më të besueshëm, për të realizuar skenat e lindjes së Krishtit, terrenin e ashpër e polikrom, ku u xhirua filmi, i cili shtrihet nga dita e Lajmërimit të Marisë, deri te çasti kur Zoja e Shën Jozefi e gjejnë Jezusin në Tempull, mes dijetarëve, duke i pyetur e duke iu përgjigjur atyre”. Guido Kieza e ka përsëritur disa herë: nuk dëshiron të shkandullojë, ndonëse në film nuk ka engjëj as barinj, kometë as Mbretër dijetarë. Po janë Nëna e Biri. Këta i interesojnë artistit e njeriut: e para e lë veten plotësisht në dorë të Zotit, përballon misterin e dhimbjes; i dyti ia beson vetveten Nënës, derisa e kupton se liria e tij nuk mund të kufizohet më, se misioni i tij në botë është diçka tjetër. “Në filmin tim rrëfej historinë e një gruaje, që ia ndryshoi përgjithnjë faqen njerëzimit”, saktëson akoma regjisori. Prej këndej, titulli ”Unë jam me ty” është vërtetë i qëlluar. Maria - me Birin e me secilin nga Ne!







All the contents on this site are copyrighted ©.