Mesazhi i Papës për përurimin e Seminarit të dioqezës së Havanës në Kubë
Vatikan ka shpallur sot mesazhin e Papës Benediktit XVI dërguar Kishës së Kubës me
rastin e përurimit dje të seminarit të ri kryedioqezan të Havanës. Ngjarja ka një
rëndësi të veçantë edhe për faktin që në ceremoni qenë të pranishëm presidenti i Kubës,
Raul Kastro, shumë ministra, mes tyre edhe ministri i Jashtëm e i Kulturës, e drejtues
të lartë të zyrës së partisë komuniste për marrëdhëniet me bashkësitë fetare të udhëhequra
nga zonja Caridad Diego. Ndër 300 mysafirët e pranishëm, si përfaqësues i ipeshkvijve
katolikë të SHBA-së, ishte kryeipeshkvi i Miamit, imzot Thomas Wenski, e carl Anderson,
kalorës suprem i Kalorësve të Kolombos, dy donatorët kryesorë të veprës, ndihma e
të cilëve së bashku me atë të Konferencës Ipeshkvnore evropiane, e bënë të mundur
ndërtimin e pallatit që do të mund të pranojë mbi njëqind seminaristë. “Uroj që
kjo ngjarje solemne – pohon Papa në telegramin dërguar përmes Sekretarit të Shtetit
të Vatikanit Tarçizio Bertone – të mund të jetë shenjë e nxitje për një angazhim të
përtërirë e të përforcuar në favor të përgatitjes së vëmendshme njerëzore, shpirtërore
e akademike të meshtarëve të ardhshëm”. Po kështu, Papa “ i fton barinj e besimtarë,
edukatorë e seminarista të identifikohen çdo ditë më tepër me ndjenjat e Krishtit,
Bariut të Mirë, përmes lutjes së vazhdueshme, impenjimit serioz në studime, dëgjimit
të përvujtë të Fjalës së tij Hyjnore, kremtimit të denjë të Sakramenteve e dëshmimit
të guximshëm të dashurisë së tyre si dishepujt të vërtet e misionarë të Ungjillit
të shpëtimit”. Ati i Shenjtë, më tutje, në mesazhin e tij drejtuar kardinalit Jaime
Ortega, kryeipeshkvit të Havanës, shpreh mirënjohjen ndaj të gjithë atyre që me “kontributin
e tyre bujar” e bënë të mundur këtë Seminar, ndërtuar pak kilometra nga qyteti e guri
i parë i të cilit qe bekuar nga Gjon Pali II gjatë vizitës së tij historike nga 21
deri më 26 janar të vitit 1998.