(02.11.2010 RV)Në Beograd policia zhvilloi sot paradite një operacion të gjerë
për kapjen e Ratko Mlladiqit, ish- gjeneral i serbëve të Bosnjës dënuar nga Gjykata
e Lartë Ndërkombëtare e Hagës për krime lufte. Siç lajmëroi radioja B92, e cila citoi
prokurorinë e Beogradit, kërkimet kishin të bënin me një shtëpi dhe restorantin “Bajka”
në lagjen Banovo Bërdo. Në këtë restorant, gjithnjë sipas radios B92, dy vetë u arrestuan
dhe po merren në pyetje. Bastisje dhe kontrolle u kryen edhe në një qendër turizmi
bujqësor afër Aranxhelovacit, 60 km në jug të Beogradit. Ditët e kaluara në fakt,
qeveria serbe e pati rritur shpërblimin për ata që do të japin informata për kapjen
e Mlladiqit nga një në dhjetë milionë euro. Bashkë me Mlladiqin kërkohet edhe Goran
Haxhiq, ish-kryetar i serbëve të Kroacisë akuzuar për genocid dhe krime lufte. Edhe
për të qeveria e rriti shpërblimin nga 250 mijë në një milionë euro. Vetë presidenti
Boris Tadiq gjatë intervistave të dhëna kohët e fundit ka deklaruar se ka vullnet
politik për kapjen e Mlladiqit dhe të Haxhiqit, në një kohë kur Bashkimi Evropian
i ka vënë Serbisë si kusht për hyrjen në Evropë, pikërisht dorëzimin e kriminelave
të luftës civile në ish-Jugosllavi.