2010-11-03 16:36:28

Atentati i Bagdadit: rritet në tre numri i meshtarëve të vrarë. Së paku 58, viktimat. Dje, 64 të tjera.


(03.11.2010 RV)Janë tre, meshtarët e vrarë në Irak, në atentatin e së dielës në kishën sirokatolike të Zojës së Shpëtimit në Bagdad. Sipas agjensisë katolike Zenit, përveç atë Tha’ir Saad dhe atë Boutros Uasim, ka vdekur, pas shtrimit në spital, edhe atë Qatin. Bilanci i viktimave është rritur në 58 vetë, ndër të cilët edhe gra e fëmijë. E dje, 11 autobomba, të shpërthyera njëra pas tjetrës në Bagdad, shkaktuan 64 të vrarë e qindra të plagosur.
Po dje, u kremtua funerali i dy meshtarëve, që vdiqën aty për aty nga plumbat. Gjatë homelisë, kardinal Emanuel III Deli, patrik i Babilonisë së Kaldejve, kujtoi se besimtarët ndodheshin në kishë për t’u lutur, ndërsa dora e djallit hyri në këtë vend kulti për të vrarë. “Ne nuk kemi frikë nga vdekja e nga kërcënimet – shtoi prelati – jemi bijtë e këtij vendi e do të qëndrojmë në Irak me vëllezërit tanë myslimanë për të glorifikuar emrin e Irakut”. Gjatë ceremonisë u lexua telegrami i ngushëllimit i Papës Benedikti XVI, në të cilin Ati i Shenjtë shkruan: “Prej vitesh, ky vend i dashur vuan sa s’thuhet e të krishterët janë bërë objekt sulmesh të pashpirt, të cilat, duke e përbuzur krejtësisht jetën, dhuratë e paprekshme e Zotit, duan të minojnë besimin dhe bashkëjetesën paqësore”.
Kishës në Irak i kanë shprehur afërsinë e tyre Konferenca Ipeshkvnore e SHBA-ve, ajo franceze e Kisha të tjera. Edhe autoritete myslimane, si ajatollahu Ali Al-Shishtani, udhëheqje shpirtërore për shiitët irakianë, e dënoi sulmin dhe u kërkoi autoriteteve të forcojnë mbrojtjen e të gjithë irakianëve. Sipas ministrit të brendshëm, kjo masakër mund të shmangej. Vetë ministria u kishte dhënë ditë më parë forcave të sigurisë, lajmin se Al Kaida po planifikonte sulme kundër kishave. Alarmi nuk është marrë parasysh.
Ndërkaq, organizata terroriste Al Kaida bën të ditur se të gjithë të krishterët konsiderohen “objektiva të ligjshme”. Pas sulmit, organizata pati deklaruar se duhet të lirohen dy gra, të kthyera në Islam, që mbahen të burgosur në kuvendet egjiptiane. Por, “El Vatani”, e përjavshme e koptëve të Egjiptit, sqaron se këto dy gra janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të mosmarrëveshjeve familjare. Edhe autoritetet më të larta islamike kanë konfirmuar se ato nuk janë kthyer aspak në islamizëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.