Në Tiranë mbahet simpoziumi për fetë. Topi toleranca ndërfetare, modeli për Evropën
Sot paraditen në Tiranë u zhvillua simpoziumi “Kontributi i Harmonisë Ndërfetare në
Integrimin e Shqipërisë”, nën kujdesin e vecantë të presidentit të Shqipërisë Bamir
Topi. Në këtë aktivitet morën pjesë, krerë e përfaqësues të lartë të komuniteteve
fetare të Shqipërisë. Kryepeshkopi Anatas Janullartos për Kishës Ortodokse Autoqefale,
kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë e kryeipeshkvi i Tiranës
imzot Rrok Mirditën, imzot Gjergj Frendo, ipeshkëv ndihmës i Tiranës dhe të Komunitetit
Mysliman e të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Të pranishëm ishin edhe Kryetarja
e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, Kryetari i Komitetit të Kulteve, Rasim Hasanaj,
përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe të Trupit Diplomatik të akredituar në
Tiranë, besimtarë e qytetarë. Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, e vlerësoi tolerancën
fetare që ka karakterizuar në shekuj bashkëjetesën fetare në Shqipëri, duke shtuar
se pikërisht ky është modeli që do t'i paraqitet familjes së madhe evropiane. Presidenti
Topi tha se "ne shqiptarët kemi një gjë shpirtërore kaq të veçantë e përfaqësuese
të qytetërimit tonë, që mund ta bashkëndajmë me familjen tonë evropiane, modelin e
të jetuarit në harmoni të plotë si vëllezër mes besimeve dhe feve të ndryshme". Arqipeshkvi
i Tiranë- Durrësit dhe Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë,
Imzot Rrok Mirdita, falënderoi qeverinë shqiptare për shpalljen e vitit 2010
si vitin e Nënë Terezës dhe i ftoi të gjithë shqiptarët që nën emrin e saj të tregojnë
bashkimin e tyre për të siguruar integrimin e Shqipërisë përkrah vendeve të tjera
evropiane. Kryetari i Bashkësisë Myslimane të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça,
në fjalën e tij e vuri theksin në rëndësinë që kanë këto simpoziume për të treguar
se në Shqipëri mbizotëron toleranca fetare. Nga ana e tij Kryepeshkopi i Tiranës,
Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, fortlumturia e tij, Anastas Janullatos,
shprehu besimin se harmonia fetare në Shqipëri është një garanci për integrimin e
saj në BE. Ndërsa Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhi,
shprehu mirënjohjen e tij ndaj komuniteteve të tjera për tolerancën fetare që ekziston
në Shqipëri. Simpoziumi mbi harmoninë ndërfetare në Shqipëri, është një aktivitet
i përvitshëm, që organizohet nga katër komunitetet fetare në Shqipëri, ku diskutohen
çështjet e tolerancës fetare në Shqipëri.(ATSH-ja)