2010-11-02 08:03:08

Mesazhi i përkujtimit të të Gjithë Shenjtorëve dhe i të gjithë të vdekurve


Këto dy ditë, me 1 e me 2 nëntor, duke kremtuar të Gjithë Shenjtorët e duke Përkujtuar të Gjithë të Vdekurit, Kisha shtegtare mbi tokë përmes liturgjisë shenjte jeton e shpreh hallkën shpirtërore që e bashkon me Kishën Qiellore. Solemniteti i të këtyre dy ditëve na ndihmon të thellojmë njërën ndër të vërtetat themelore të fesë sonë të krishterë që besojmë: jetën e përjetshme në Hyjin me “Shoqërinë e Shenjtorëve”, feja e ushqen në njeriun shpresën që shkon përtej vdekjes, në Amshimin e Hyjit, që është fundi i misterit të vdekjes.
Kisha, dje me 1 nëntor kremtoi festën e të Gjithë Shenjtorëve, ndërsa sot me 2 nëntor përkujton e lutet për të gjithë besimtarët e vdekur, duke dëshmuar kështu përkujdesin amënor që ka ndaj çdo njeriu në të gjitha periudhat e jetës së tij: nga lindja e deri te caku i fundit të jetës, që nga Pagëzimi e deri tek Ringjallja, do të thotë deri te pjesëmarrja në Jetën e Amshuar në Hyjin.
Dita e 2 nëntorit është e veçantë, na bënë ta ndjejmë në mënyrë të posaçme çdo person e çdo familje. Është festa njerëzore e dashurisë që tejkalon përmasën kohore e njerëzore për t’u shkrirë në përmasën e amshuar të misterit të dashurisë Hyjnore.
Sot me 2 nëntor, Kisha na fton ta shikojnë enigmën e vdekjes me qetësi e shpresë, të ndriçuar nga feja e nga drita e ngjalljes së Krishtit. Gjithçka kalon, po Zoti mbetet dhe caku i jetës sonë është pikërisht takimi përfundimtar ballë për ballë me Zotin. Prandaj Kisha e fton çdo njërin ta shikojë këtë realitet:
Në kohën tonë, më shumë se në të kaluarën njerëzit merren aq shumë me gjërat tokësore, sa nganjëherë harrojnë se Zoti është protagonist i historisë e i vetë jetës sonë. Por jeta njerëzore, për vetë natyrën e saj, priret nga një cak shumë më i lartë, që qëndron mbi këtë natyrë: e pamposhtur është etja e njeriut për drejtësi, për liri, për lumturi të plotë.
Enigma e vdekjes ndërthuret me mendimin si të jetojmë mirë, si të gjejmë lumturinë, e njëkohësisht me pritjen e gjyqit të mbramë, që do të vendosë përfundimisht drejtësinë. E duke kujtuar këtë, Lumturinë Ungjillore na ftojnë që tani në jetën tokësore të përgatitemi për Jetën e Vërtetë në Hyjin e për t’i dëgjuar fjalët e Tij që thotë: “Lum njeriu që dhuron; lum ai që nuk e jeton jetën vetëm për vetvete, por edhe për të tjerët; lum njeriu i mëshirshëm, i mirë e i drejtë; lum njeriu që jeton në dashurinë e Zotit e të afërmit. Kështu jetojmë mirë e kështu nuk duhet të kemi frikë nga vdekja, sepse jemi në lumturinë që vjen nga Zoti e nuk soset kurrë”.
Në qendër të fesë së krishterë është misteri i vdekjes e i ngjalljes së Krishtit: Ngjallja e Krishtit ishte si shpërthim drite, shpërthim dashurie që copëton prangat e mëkatit e të vdekjes. Përuroi kështu një përmasë të re të jetës e të realitetit, nga e cila lind një botë e re, e cila depërton vazhdimisht në botën tonë, e shndërron atë dhe e bën për vete”.
Me këtë siguri të krishterët e shikojnë jetën e pasosur, por pa i harruar detyrat që kanë sa janë ende në botë: këmbët i kanë në tokë por zemrën në qiell, në banesën e përfundimtare të miqve të Zotit.
Jeta e amshuar, për ne të krishterët, nuk është thjeshtë një jetë që s’ka fund, por sidomos një cilësi e re e jetës, e shkrirë plotësisht në dashurinë e Zotit, i cili na çliron nga e keqja e nga vdekja e na bën të bashkohemi përgjithmonë me të gjithë vëllezërit e motrat që marrin pjesë në të njëjtën dashuri të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.