Meditim mbi kuptimin e vdekjes në ditën e përkujtimit të të vdekurve!
Në ditën e 2 nëntorit jemi para një përkujtimi që na nxit të reflektojmë thellë e
sidomos, na shtyn t’i bëjmë vetes pyetjen më të rëndësishme, të përjetshme: prej nga
vijmë e ku shkojmë? Ç’kuptim ka jeta e aq më tepër, vdekja? Vdekja sot është bërë
fjala më e padëshirueshme, është bërë tabu. Nuk duhet folur për të, e as nuk duhet
menduar për të. Njeriu i sotëm nuk dëshiron ta pranojë vdekjen: prandaj përpiqet
të krijojë mitin e shëndetit e të formës së përkryer fizike, një lloj rinie të përjetshme,
që e përjashton plakjen e vdekjen. Ndeshemi me prirjen për t’ia fshehur vdekjen
njeriut që i afrohet cakut të fundit, duke i mohuar kështu mundësinë të përgatitet
për këtë shtegtim të mbram, tepër të vështirë, drejt amshimit. Njeriu i sotëm rrallë
herë vdes në shtëpi të vet, i rrethuar nga fytyrat e dashura të të afërmve: sot vdiset
ndër strukturat shëndetësore, në vetmi të plotë! Vdekja bëhet gjithnjë më anonime,
formë e shpersonalizimit të njeriut që ka jetuar e ka vdekur. Tepër aktuale lutja-poetike
e poetit të famshëm gjerman, Rilke: Jepi, o Zot, secilit, vdekjen e vet, vdekjen
që nga jeta lulëzoi; nga jeta në të cilën çdo njeri, gëzimin e vuajtjen provoi. Por
ka edhe më: është edhe vdekja sipas dëshirës, pasojë e kulturës së vdekjes e cila
vijon të përhapet për shkak të jetës së papërgjegjshme, që i kundërvihet vetë jetës,
në të cilën mbretëron droga, shpejtësia e çmendur, netët me dehje ndër diskoteka… Vjen
pastaj vdekja e dëshpëruar e njeriut që jeton pa shpresë. Vetëm vdekja e krishterë
përshkohet nga vetëdija e kalimit në jetën e pasosur e të vërtetë, është plot me shpresën
e njeriut që e lëshon plotësisht e përfundimisht veten në duart e Atit Hyjnor, i sigurtë
se do të ringjallet.