2010-11-02 16:58:33

Irak: u zhvilluan salikimet e dy meshtarëve që u vranë bashkë me 56 besimtarë në atentatin e së dielës në Bagdad.


(02.11.2010 RV)Në Irak, këto janë ditë dhimbjeje dhe turbullimi pas atentatit të së dielës që i kushtoi jetën 58 vetëve, ndër të cilët fëmijë, dhjetë gra dhe dy meshtarë. E ndërsa bota e krishterë ende po reflekton mbi terrorin e Al Kaedës dhe pasojat e tij, sot në Bagdad u zhvilluan salikimet e Atë Tair Sad-Ala Abd-Al dhe të Atë Vasem Sabeeh Al-kas Butros.
Salikimet u zhvilluan në kishën kaldee të Shën Jozefit, jo larg prej asaj siro-katolike të Zojës Sonë të Shpëtimit ku ndodhi akti terrorist, një akt ky që mund të ishte shmangur, siç deklaruan sot autoritetet irakiane. Në fakt gjatë ditëve të kaluara burimet sekrete kishin njoftuar se Al-Kaeda kishte ndërmend të sulmonte kishat e krishtera. Ndërkaq nga Egjipti, kisha Kopte njoftoi se dy gratë - të cilat sipas Al-Kaedës janë marrë peng nga të krishterët sepse janë kthyer në fenë islame, shkak i aktit terrorist kundër të krishterëve në Irak, - nuk fshihen në asnjë kuvend. Po sot gazeta egjiptiane “El Vatani” njoftoi se dy gratë që përmenden nga Al-Kaeda, nuk janë marrë peng nga askush, por janë larguar nga familjet e tyre për shkaqe mosmarrëveshjesh të brendëshme dhe madje nuk janë kthyer aspak në fenë e islamit, siç pretendojnë burimet e Al-Kaedës.
Nga ana tjetër në Irak, autoritetet mbyllën zyrat e televizionit Al-Bagdadia. Drejtori dhe një nëpunës tjetër akuzohen për bashkëpunim me terroristët sepse kanë transmetuar kërkesat e tyre kur këta mbanin peng të krishterët.
Ndërsa kisha irakiane ka frikë se mos kjo valë e re dhune do të shtyjë të krishterë të tjerë të largohen nga Iraku. Sipas të dhënave të ipeshkvijve, sot në Irak numërohen afro 400 mijë të krishterë në një kohë kur në 2003, para se të fillonte lufta, ata ishin një milionë gjysëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.