2010-11-02 11:13:12

Besnikë deri në martirizim (meditim)


Këto ditë, kur sytë e të krishterëve lartohen nga qielli, për të kundruar Gjithë Shenjtorët, e jo më pak, ngulen mbi rrasat, nën të cilat prehen të dashurit e vdekur, që nuk janë më mes nesh, na tërheqin vëmendjen tek ngjarja, që e vënë në provë fenë tonë!
Na kujtojnë se shpesh herë në rrjedhën e historisë, vuajtja e të krishterëve mund të marrë një nga format e persekutimit, që kërkon besnikëri deri në martirizim. E mendimi ynë, natyrisht, shkon tek të krishterët e Bagdadit, të vrarë mizorisht në Kishën e tyre, në sa ishin shtrënguar rreth elterit, për të marrë Bukën e jetës. U flijuan pikërisht në sa Krishti përsëriste flijimin e tij në Eukaristi, për të gjithë besimtarët. Gjaku i tyre e Gjaku i Zotit u bënë një, në sa Kisha universale kremtonte solemnitetin e të Gjithë Shenjtorëve, në përgatitje për të kujtuar, një ditë më pas, të vdekurit. Nga të vdekur, ata merituan emrin më të ndritur, atë të Shenjtit.
Mund të ishim edhe ne mes tyre. Ç’përgjigje do të jepnim, po të na kërkohej ky gjest ekstrem i dashurisë për Krishtin? Po të vihej në një provë të tillë besnikëria jonë ndaj Zotit të Kryqëzuar?
Pikërisht kjo besnikëri, që propozon Kisha në këto ditë jo të zakonshme, kur fletët fluturuese të kalendarit na nxisin të meditojmë për atë, që e shqetëson që në zanafillë mendjen njerëzore; jetën e përtejvarrit, lumninë e përtej jetës, realiteti qiellor. E pikërisht dëshira e zjarrtë për t’u bërë një me Zotin, i nxiti martirët irakianë të Bagdadit t’i afrohen Tabernakullit, në një situatë që nuk premtonte asgjë të mirë. Shkuan kundër rrymës, për të mos e humbur udhën e drejtë në jetë, udhën që i çoi në Lumninë e Zotit, pikërisht këto ditë kur bota e krishterë mediton për gjithë Shenjtorët, besnikë, deri në martirizim!







All the contents on this site are copyrighted ©.