2010-11-01 13:38:16

Thirrje e fuqishme e Papës për Lindjen e Mesme pas atentatit të djeshëm në Bagdad: në Engjëllin e Tënzot, dhurata e shenjtërisë.


(01.11.2010 RV)Në ditën, që Kisha ua kushton të Gjithë Shenjtorëve, Papa foli për dhuratën dhe bukurinë e shenjtërisë e të bashkimit me të vdekurit, të cilët do të kujtohen në Liturgjinë e nesërme. Bëri, më pas, një thirrje të fuqishme për paqe në Lindjen e Mesme, pasi shprehu dhimbjen për atentatin e shëmtuar të djeshëm në Katedralen siro-katolike të Bagdadit........RealAudioMP3

“Shenjtëria, vulosja e vetvetes me vulën e Krishtit, është qëllimi i jetës së besimtarit të krishterë”. Kështu Papa kujtoi se solemniteti i të Gjithë Shenjtorëve na fton t’i lartojmë sytë drejt qiellit e të meditojmë për jetën e përkryer hyjnore, që na pret. Si bij të dashur, tha Benedikti XVI, marrim edhe hirin për t’i përballuar provat e jetës tokësore. Papa kujtoi më pas, urinë e etjen e njerëzve për drejtësi, keqkuptimet, persekutimet, por pa harruar të theksojë se ka edhe gjëra të tjera, për të cilat ia vlen edhe të vuash e se
“...njëkohësisht trashëgojmë që tani, atë që na u premtua në Lumturitë ungjillore, në të cilat shkëlqen figura e re e botës dhe e njeriut, e përuruar nga Jezusi”.
Amshimi, shpjegoi Benedikti XVI, nuk është thjesht shfletim i ditëve të kalendarit, që shkon drejt fundit, por diçka që i ngjet çastit të plotësimit të dëshirave, në të cilin tërësia na rrok e ne rrokim tërësinë e qenies, të së vërtetës, të dashurisë. Prej këndej, dhurata e bukuria e shenjtërisë është bashkimi me shpirtërat e lumtur, sepse, nënvizoi Papa, jeta e shenjtorëve nuk është vetëm jetëshkrimi i tyre tokësor, por edhe vepra, që kryejnë në Zotin, pas vdekjes së tyre.
E për vdekjen Benedikti XVI foli, duke kujtuar Liturgjinë e të vdekurve, që do të kremtohet nesër. Ndarja nga të dashurit, kujtoi Shenjtëria e Tij, është vërtet e dhimbshme, por kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë se vdekja e krishterë është pjesë e rrugës, që na bashkon me Zotin. Nuk duhet të kemi frikë, prandaj, porositi Benedikti XVI, sepse nuk e këput bashkimin me Krishtin, përkundrazi. E këtë na e kujtojnë si Liturgjia e 2 nëntorit, ashtu edhe vizitat e përshpirtshme në varrezat, për t’u lutur pranë varreve të të dashurve, që nuk janë më mes nesh e që urojmë ta kenë mbërrijtur cakun e lumnueshëm!

Pas Lutjes mariane, Ati i Shenjtë kujtoi atentatin e rëndë, që ndodhi dje në katedralen siro-katolike të Bagdadit:
Lutem për viktimat e kësaj dhune, sa pa kuptim, aq të egër, që goditi njerëzit e pambrojtur, të mbledhur në shtëpinë e Zotit, shtëpi dashurie e pajtimi. I shpreh afërsinë time të përzemërt bashkësisë së krishterë, të goditur përsëri, dhe u jap zemër barinjve e besimtarëve të jenë të fortë e të patundur në shpresë”.
Më pas, thirrja për t’i dhënë fund dhunës:
“Përballë episodeve mizore të dhunës, që vijojnë të trondisin popullsinë e Lindjes së Mesme, përsëris thirrjen time të ngutshme për paqe; ajo është dhuratë e Zotit, por edhe rezultat i përpjekjeve të njerëzve vullnetmirë e të institucioneve kombëtare e ndërkombëtare. Të gjithë duhet të bashkojnë forcat, që t’i jepet fund çdo dhune”.

Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, një mendim për aradhet e shenjtorëve: në frëngjisht, inkurajimi për të admiruar turmën e pafundme të atyre që, pasi kanë shkelur mbi gjurmët e hapave të Zotit, kundrojnë Lumninë e Tij e ndërmjetësojnë për ne.
Në anglisht, ftesa për t’i kundruar ata, që jetojnë përgjithmonë në praninë e Zotit, Atit tonë, që është në qiell.
Në polonisht, urimi që zemrat të jenë të palëkundura në shenjtëri, përballë Hyjit Atë, në çastin e ardhjes së Zotit tonë Jezu Krishtit me të gjithë shenjtorët e tij.
Në italisht, përshëndetja e veçantë drejtuar pjesëmarrësve të manifestimit “Vrapi i shenjtorëve”, organizuar nga salezianët, për të mbështetur projektet e solidaritetit në situata të vështira, siç janë ato në Haiti e në Pakistan.







All the contents on this site are copyrighted ©.