2010-11-01 16:52:30

Shenjtorët na ftojnë ta ndjekim Jezusin me gëzim e pa ndërlikime.


Solemniteti i të Gjithë Shenjtorëve na fton t’i ndjekim me gëzim gjurmët e Jezusit, pa ndërlikime e pa mediokritete, duke ecur me përvujtëri në udhën e përsosjes së dashurisë e duke përjashtuar çdo gjë, që nuk është e denjë për jetën tonë si të krishterë: këtë thekson Kisha në festën e të Gjithë Shenjtorëve duke na ftuar ta jetojnë me frymë të vërtetë kristiane edhe përkujtimin e besimtarëve të vdekur, që kremtojmë më 2 nëntor, me vetëdijen se në varre pushon vetëm pjesa e vdekshme e trupit të të dashurve tanë, në pritje të ringjalljes përfundimtare.
Të mos kemi frikë të jemi shenjtorë! Është shërbimi më i mirë që mund t’i bëjmë vëllezërve tanë! – kjo ishte thirrja e Solemnitetit të të Gjithë Shenjtorëve, që e fton Kishën shtegtare mbi tokë, që jemi ne, të parashijojë festën pa fund të bashkësisë qiellore e të ringjallë besimin në jetën e pasosur:
Në këtë festë, na pëlqen të kujtojmë, me nderim të posaçëm, besimtarët shenjtorë; si ata, që Kisha i ka kanonizuar, duke i paraqitur si shembuj virtytesh shpirtërore e baritore; ashtu edhe të tjerët – që janë edhe më të shumtë – që i njeh vetë Zoti. Secili nga ne ruan, plot mirënjohje, në zemër, kujtimin e ndonjë besimtari e meshtari, që na ndihmoi të rritemi në fe e na bëri ta ndjejmë mirësinë dhe afërsinë e Zotit.
Ndërsa më 2 nëntor. Kisha na fton ta jetojnë përkujtimin e të gjithë besimtarëve të vdekur, sipas shpirtit të vërtetë të krishterë, domethënë, në dritën që buron nga Misteri i Pashkëve. Krishti vdiq e u ngjall dhe na hapi shtegun drejt shtëpisë së Atit, drejt Mbretërisë së jetës e të paqes. Kush e ndjek Jezusin në këtë jetë, pranohet atje, ku Ai na parapriu.
Ndërsa bëjmë vizita në varreza, të mos harrojmë se atje, ndër varre, pushon vetëm pjesa e vdekshme e të dashurve tanë, që presin ringjalljen përfundimtare. Shpirtrat e tyre – siç na kujton Shkrimi Shenjt - janë tashmë në duart e Hyjit (Urt 3,1). Prandaj mënyra më e përshtatshme e më e frytshme është t’i nderojmë duke u lutur për ta, duke kryer vepra feje, shprese e dashurie. Në bashkim me Flijen Eukaristike, mund të ndërmjetësojmë për shëlbimin e tyre të pasosur e të provojmë bashkimin më të thellë, në pritje të ditës, kur do të jemi përsëri bashkë, për të gëzuar, në amshim, Dashurinë që na krijoi e na shpërbleu.
Këto ditë festash, Kisha në mënyrë të veçantë thekson, sa e bukur e sa ngushëlluese është bashkësia e shenjtorëve; realitet, që i jep një përmasë krejt tjetër tërë jetës sonë:
Nuk jemi kurrë vetëm! Bëjmë pjesë në një ‘shoqëri’ shpirtërore, në të cilën sundon solidariteti më i thellë: e mira e secilit, është e mira të gjithëve e, anasjelltas, lumturia e përbashkët rrezaton mbi secilin. Është një mister që, në një farë mase, mund ta provojmë që në këtë botë, në familje, ndërmjet miqsh e, posaçërisht, në bashkësinë shpirtërore të Kishës. Na ndihmoftë Zoja e Bekuar të ecim me shpejtësi në udhën e shenjtërisë e qoftë Nënë e Mëshirës për shpirtrat e të vdekurve.







All the contents on this site are copyrighted ©.