2010-11-01 16:46:04

Papa në Engjëllin e Tënzot: “Zoti nuk kushtëzohet nga paragjykimet njerëzore, por shikon në secilin nga ne, shpirtin, që duhet shëlbuar”.


(01.11.2010 RV)Në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, Papa nënvizoi se dashuria përdëllyese e Zotit e shkrin edhe zemrën më të ngurtë. Zoti, pohoi Benedikti XVI, nuk përjashton askënd, i pasur a i varfër qoftë. Jezusi, shtoi, e dëshmon këtë mëshirë të pacak, që synon ta shpëtojë mëkatarin, t’i krijojë të gjitha mundësitë për t’u kthyer në rrugën e Zotit.RealAudioMP3

Duke kujtuar fragmentin nga Ungjilli i djeshëm, kushtuar kthimit të Xakeut, mbledhësit të pasur e të pandershëm të taksave, i cili pas takimit me Jezusin vendos të ndryshojë jetë, Papa nënvizoi mëshirën e pakufi të Zotit:
Zoti nuk përjashton askënd, as të varfërit e as të pasurit. Zoti nuk kushtëzohet nga paragjykimet njerëzore, por shikon, në secilin nga ne, një shpirt që duhet shëlbuar dhe tërhiqet posaçërisht nga ata, të cilët gjykohen si të humbur e që e konsiderojnë vetveten si të tillë”.
Dashuria përdëllyese e Zotit pasqyrohet në Krishtin, që erdhi për të thirrur mëkatarët, e jo të drejtët:
Jezu Krishti, mishërim i Zotit, e dëshmoi këtë mëshirë të pakufi, që nuk i heq asgjë peshës së mëkatit, por synon gjithnjë ta shpëtojë mëkatarin, duke i krijuar mundësinë ta shlyejë mëkatin, të rifillojë nga e para, të bëjë kthesë”.
Xakeu na kujton pikërisht këtë kthesë. Ishte tejet i pasur e i përbuzur nga bashkëqytetarët. Prandaj, kur Jezusi u ndalua pikërisht në shtëpinë e tij, shkaktoi një shkandull të paparë. Të gjithë mbetën keq, veç Krishtit, i cili e dinte mirë ç’po bënte:
Ai, si të themi, deshi të rrezikojë, dhe e fitoi bastin. Xakeu, i prekur thellë nga vizita e Jezusit, vendos të ndërrojë jetë e premton të kthejë katërfishin e asaj që ka vjedhur: sot në këtë shtëpi hyri shëlbimi, thotë Jezusi, e përfundon: Biri i njeriut erdhi të kërkojë e të shpëtojë atë, që ishte e humbur”.
Në Ungjill, kujtoi më pas Ati i Shenjtë, Jezusi pohon se është tejet e vështirë për një të pasur të hyjë në Mbretërinë e qiellit. Por, në rastin e Xakeut, shtoi Papa, shikojmë se pikërisht ajo që dukej e pamundur, realizohet:
Ai, komenton Shën Jeronimi, e flaku tutje pasurinë e tij dhe e zëvendësoi aty për aty me pasuritë e Mbretërisë së qiellit. E Shën Maksimi i Torinos shton: të pamendët i përdorin pasuritë si ushqim për pandershmërinë; ndërsa të urtët, si ndihmë për virtytin; për këta, pasuritë janë mundësi shpëtimi; për ata, pengesë, që i bën të humbasin”.
Papa iu drejtua më pas besimtarëve, duke u kujtuar se dje, në katedralen e Oradeas, në Rumani, u shpall i lum Silard Bogdanfì, ipeshëv e martir. Në vitin 1949, kur ishte vetëm 38 vjeç, u shugurua ipeshkëv në fshehtësi e më pas u arrestua nga regjimi komunist i Rumanisë, i akuzuar si spiun kundër regjimit. Pas katër vjet vuajtjesh e poshtërimesh, dha shpirt në burg:
“Falënderojmë Zotin për këtë bari heroik të Kishës, që e ndoqi Qengjin deri në fund të fundit! Dëshmia e tij i ngushëlloftë të gjithë ata, që vijojnë të persekutohen edhe sot e kësaj dite për shkakun e Ungjillit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.