Me 1 nëntor kremtohet solemniteti i të Gjithë Shenjtorëve
Festa e të Gjithë Shenjtorëve e bashkon në një kujtim të vetëm këtë familje të pafundme,
që na e mbush zemrën me ngushëllim. Nganjëherë ndokush më ankohet: “Jam vetëm. Ndjehem
i vetmuar”. I them: “Mendo se nuk je kurrë vetëm, se je i rrethuar nga familja e Shenjtorëve,
nga shoqëria e shenjtorëve, nga përqafimi i tyre. E ky mendim për praninë e Shenjtorëve
në jetën tonë, duhet të jetë i përhershëm, sepse Shenjtorët në qiell nuk mund të rrinë
duarkryq. Parajsa nuk është strehë e artë pushimi. Parajsa është vendi ku jetohet
thellësisht dashuria. E në se urdhërimi i dashurisë vlen për ne në tokë, aq më tepër
duhet të vlejë për Shenjtorët në qiell. Prandaj Shën Tereza e Krishtit Fëmijë, pak
para se të vdiste, pati thënë: “Jam duke hyrë në pushim…madje, jo në pushim – vijoi
duke e korrigjuar veten – sepse kohën time në qiell do ta kaloj duke bërë mirë mbi
tokë”. Shenjtorët janë të shumtë e të gjithë janë pranë nesh, sepse kush është
bërë një me Zotin, është bashkuar me dashurinë e dashuria nuk mund të rrijë dyarkryq.
Ky është një mendim që na ngushëllon e na ndihmon t’i përballojmë me optimizëm e me
besim të plotë stuhitë e jetës, edhe duke u nisur nga shoqëria e Shenjtorëve. Si
mund t’ua shpjegojmë njerëzve të kohëve tona ç’do të thotë shenjtëria? Mbi
të gjitha duhet ta pastrojmë Shenjtërinë nga një lloj hije irreale që e rrethon nganjëherë.
Shenjtorët janë vetje që e jetojnë me fund jetën e tyre. Janë njerëz vërtetë të realizuar.
Janë njerëz të suksesshëm, sepse suksesi nuk është fama që fitohet në një kampionat
futbolli, në realizimin e një filmi, në çfarëdo lloj pune njerëzore. Suksesi i vërtetë
i jetës është shenjtëria; e shenjtëria është realizim i plotë i jetës njerëzore. Prandaj
Krishti i quan shenjtorët të Lum. Lumnitë janë pikërisht karakteristikë e Shenjtorëve.
Të varfërit shpirt, dmth ata që e kanë shpirtin të lirë, që nuk kanë etje për para,
për pushtet, për sukses, që nuk ëndërrojnë mite e nuk e duan dhunën; që janë plot
mëshirë, që nuk dinë ç’është urrejtja, që e kanë zemrën të pastërt, të papërbaltur,
janë njerëz që kanë arritur lumturinë, janë vërtetë të Lum. Kur flasim për shenjtërinë,
duhet ta kemi mirë parasysh se ideali i shenjtërisë është ideal që e bën njeriun të
lumtur, të realizuar, sepse shenjtorët janë ata që e kanë realizuar plotësisht planin
e Zotit e, prej këndej, edhe vetveten e tyre si njerëz. Nganjëherë e pyes veten
cili është më njerëzor se Shën Françesku i Asizit, cili është më burrë se ai e cila
është më grua se Nënë Tereza. Ndonëse janë shembuj tepër të lartë, kjo nuk na pengon
të ecim në gjurmët e tyre, sepse kjo është rruga që duhet përshkuar, për ta realizuar
plotësisht vetveten. E më kujtohet një thënie e Leon Bloit, një njeriu të penduar,
plot zjarr, i cili një ditë pati thënë: “Ekziston vetëm një lloj trishtimi: është
trishtimi që na pushton kur mendojmë se nuk jemi shenjtorë e unë dëshiroj që askush
të mos e provojë këtë trishtim; dëshiroj që të gjithë të jenë shenjtorë.