2010-11-01 11:36:36

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Festës të të Gjithë Shenjtorëve


Ja përsëri në takimin tonë me Fjalën e Zotit , kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të festës të të Gjithë Shenjtorëve, që Kisha kremton me 1 nëntor.
Kjo festë na kujton idealin e krishterë të shenjtërimit e kremton aradhen e atyre vëllezërve e motrave tona, që gjatë shekujsh e deri në ditët tona, janë dalluar në mënyrë të posaçme për një jetë të jetuar në përkim me vullnetin e Fjalët e Zotit e që pas vdekjes gëzojnë lumturinë e jetës në Zotin.
Pra, festa e të Gjithë Shenjtorëve është festa e atyre që gëzojnë lumturinë Hyjnore por që nuk janë shpallur zyrtarisht e kanonikisht shenjtorë nga Kisha. Kjo festë na fton të shikojmë drejt atdheut të përbashkët, drejt lumturisë qiellore në Jetën e pavdekshme në Krishtin e Gjallë në bashkim me të Gjithë Shenjtorët.

Kur flasim për shenjtorët, nuk duhet ti mendojmë si heronj, sepse ata janë njerëz si ne, por e kanë marrë seriozisht Ungjillin e Krishtin në jetën e përditshme, e kanë jetuar thellësisht, e dëshmuar, e duke vepruar kështu, u bënë vërtetë të jashtëzakonshëm, u bënë shenjtorë. Po duhet thënë se shenjtorët janë njerëz të zakonshëm, normalë, madje edhe me gabime e me të meta. Po këto gabime e të meta arritën t’i ndreqnin, të ndriçuar nga drita e Ungjillit, duke e Biblën fjalë për fjalë e duke e dëshmuar ditë për ditë me besnikëri të jashtëzakonshme. Shenjtëria, sipas kuptimit biblik, nuk është tjetër veçse përsosuri, pra mund të themi se shenjt është njeriu i mirë, njeriu që ka arritur të bëhet NJE me Zotin, i cili është i përkryer.
Kështu, me 1 nëntor kremtojmë ditën e të gjithë shenjtorëve, Festa e të Gjithë Shenjtorëve u përhap në mbarë Evropën, duke filluar nga shekulli VIII, për t'i kujtuar tërë të krishterëve thirrjen e tyre: të jetojnë sipas mësimeve të Krishtit, të synojnë shenjtërinë e të kenë si ideal, përsosurinë. E rrugët e shenjtërisë janë të panumërta, në përkim me thirrjen e secilit besimtar, ndërsa vetë shenjtëria është masa më e* lartë e jetës për çdo të krishterë.
Në fillimet e krishterimit, anëtarët e Kishës me tjerash, quheshin edhe ‘shenjtorë’ dhe i krishteri, si i tillë, është tashmë shenjt, sepse pagëzimi e bashkon atë me Jezusin e me misterin e Pashkëve të Tij, por njëkohësisht edhe duhet të shenjtërohet, duke u njësuar gjithnjë më shumë me Krishtin gjatë jetën tokësore.
Kur flitet për shenjtërinë dhe shenjtorët, shpesh mendohet se shenjtëria është privilegj që u përket vetëm pak të zgjedhurve. Në të vërtetë, të bëhesh shenjt është detyrë e çdo të krishteri, madje mund të themi, e çdo njeriu! Shkruan shën Pali Apostull se Zoti na bekoi me çdo bekim shpirtëror e na zgjodhi në Krishtin, që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri” (Ef.1, 3-4). Prandaj të gjithë njerëzit janë të thirrur për shenjtëri, gjë që në fund të fundit do të thotë të jetosh si Bir i Hyjit, në shëmbëllim me të, ashtu siç u krijuam.
Të gjitha qeniet njerëzore janë bij të Hyjit, e të gjithë duhet të bëhen atë çka janë, përmes rrugës së dashurisë e të shenjtërimit, bijë të dashur të Zotit e vëllezër njëri me tjetrin. Prandaj Hyji i fton të gjithë të bëjnë pjesëtar në radhët e popullit të tij të shenjt. Rruga për këtë është Krishti, Biri, Shenjti i Hyjit: “askush nuk shkon tek Ati, posë nëpër Të”.
Për këtë arsye Kisha i ka vënë, me urti, njëra pas tjetrës festën e Gjithë Shenjtorëve dhe Përkujtimin e të gjithë besimtarëve të vdekur: pikërisht “atyre do t’ia kushtojmë posaçërisht lutjen tonë më 2 nëntor e për të vdekurit do të kremtojmë Flijen Eukaristike. Në të vërtetë, çdo ditë e në çdo meshë, Kisha na fton të lutemi për ta, duke ofruar edhe vuajtjet e mundimin e përditshëm, me qëllim që, plotësisht të pastruar, besimtarët e vdekur të mund të pranohen për të gëzuar në amshim dritën dhe paqen e Zotit”.

“Duke shtrënguar dorën tonë në të sajën, e ndjejmë se mund të ecim më me zell në rrugën e shenjtërisë. Në këto dy festa t’ia besojmë jetën tonë përdëllimit të Zotit e Atij ti lutemi edhe për të dashurit tanë të vdekur, me shpresën se një ditë do të jemi të gjithë së bashku, në shoqërinë e lumnueshme të shenjtorëve”. Mos të harrojmë se “shenjtëria nuk është privilegj për pak të krishterë, por detyrë e mundësi për të gjithë njerëzit”.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë (Dal 22, 21-27)
Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull
Unë Gjoni, pashë edhe një engjëll tjetër që ngritej nga lindja. Ai kishte vulën e Hyjit të gjallë. Ai i thirri me sa zë kishte katër engjëjt që kishin marrë pushtetin të dëmtojnë tokën dhe detin: “Mos i bëni dëm as tokës, as detit, as lëndëve deri që t’i vulosim në ballë shërbëtorët e Hyjit tonë!” Atëherë dëgjova numrin e atyre që ishin vulosur, njëqind dyzet e katër mijë nga të gjitha fiset e bijve të Izraelit. Pastaj pashë: një shumicë të madhe që askush s’mund e numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe! Qëndronin në këmbë para fronit dhe para Qengjit të veshur me petka të bardha e me palma në dorë. Ata shpallnin me zë të lartë: “Shëlbimi i përket Hyjit tonë që rri në fron dhe Qengjit!”
Të gjithë engjëjt që ishin në këmbë rreth fronit, rreth udhëheqësve dhe rreth katër gjallorëve, ranë përmbys dhe adhuruan Hyjin. Thoshin: “Amen! Bekim e lavdi, dije e falënderim, nder, pushtet dhe fuqi Hyjit tonë në shekuj të shekujve! Amen!”
Atëherë njëri nga udhëheqësit mori fjalën dhe më pyeti: “Këta që janë të veshur me petka të bardha, kush janë dhe nga kanë ardhur?” Unë u përgjigja: “Imzot, ti e di!” Dhe ai më tha: “Këta janë ata që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i zbardhuan në gjakun e Qengjit.”
Fjala e Zotit

Psalmi 24
Lum ata që janë të pastër më zemër, sepse ata do ta shohin Hyjin
----
E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka,
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete,
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
----
Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit,
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

Ai që ka duart e pafajshme e zemrën e pastër,
ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi,
ai që nuk përbehet në rrenë.
-----
Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin,
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit

Leximi i dytë (1 Gjn 3, 1-3)
Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull
Fort të dashur, shikoni ç’ dashuri të madhe na dhuroi Ati, sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është. Kush e ka këtë shpresë në Të, bëhet i pastër siç është Ai i pastër.
Fjala e Zotit
---
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:
“Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!
Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen!
Lum ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën!
Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen!
Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë!
Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin!
Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit!
Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!
Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Ja po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!”
Fjala e Zotit.
Homelia
Vëllezër e motra!
Popujt paganë kanë besuar në shumë hyjni. Romakët e vjetër kanë ndërtuar në Romë një tempull të madh, të quajtur Panteon, dmth. tempull në nder të të gjithë hyjnive – sepse më nuk kanë ditur as emrat e të gjithë atyre hyjnive, të cilët i kanë nderuar popujt që i përfshinte Perandoria Romake.
Kuptohet se hyjnitë e paganëve ishin hyjni të rrejshme, sepse ekziston vetëm një Hyj i vërtetë. Për këtë arsye kur në Romë mbizotëroi krishterimi, besimtarët e krishterë e pastruan Panteonin nga truporet e idhujve dhe e kthyen në kishë, duke ia kushtuar Virgjrës Mari dhe të gjithë martirëve të shenjtë.
Papa Bonifaci IV caktoi që dita e të gjithë martirëve të shenjtë të festohet ditën e shugurimit të asaj kishe, do të thotë çdo vit më 13 maj. Më vonë, në vitin 835 papa Gregori IV e caktoi ditën e Të gjithë shenjtërve më një nëntor, siç është edhe sot e kësaj dite.
Nuk ka, pra, shumë hyjni, por ka shumë shpirtra të shenjtë: si engjëj, po ashtu edhe njerëz. S’ka kurrfarë dyshimi se në vend të parë ndër ta është Virgjra Mari, Zoja e Bekuar, Nëna e Zotit tonë Jezu Krishtit. Aty është shën Jozefi, shën Gjon Pagëzuesi, të gjithë apostujt e shenjtë, shumë profetë dhe dëshmitarë të fesë, e sidomos një mori e panumërueshme e martirëve të të gjithë shekujve, prej të cilëve shumicën as nuk i njohim – por Zoti nuk e harron asnjërin prej tyre! Të gjithë ata që tani e gëzojnë lumturinë e amshuar në Mbretërinë qiellore.
Ndër këta shenjtër janë shumë e shumë fëmijë të pafajshëm, të pagëzuar në emër të Shenjtërueshmes Trini, e të vdekur pa bërë asnjë mëkat personal. Do të thotë se të gjithë ata janë shenjtër të Zotit.
Kuptohet se në këtë shoqëri të lavdishme të shenjtërve vendin e dalluar e zënë njerëz të shenjtë, burra dhe gra, të cilët gjatë krejt jetës së vet tokësore i kanë nderuar Zotit me fe të gjallë, me shpresë të fortë dhe me dashuri besnike dhe i kanë shërbyer me uratë e sakrifica, e sidomos me vepra të mira ndaj të afërmit të vet, veçanërisht ndaj nevojtarëve. Edhe këta janë shumë, të panumërt.
Por edhe më shumë shenjtër ka ndër mëkatarë, të cilët u penduan dhe u kthyen prej mëkateve të veta, u pajtuan me të madhin Zot dhe me të afërmin dhe me vepra pendestare mundoheshin të jepnin dëmshpërblimin për mëkatet e veta dhe ta tregonin nderimin e duhur ndaj Krijuesit dhe Shëlbuesit të vet. Të tillë janë me miliona e miliona. Nuk ekziston asnjë kalendar në botë, i cili do të mund t’i përfshinte të gjithë shenjtërit e Zotit. Për këtë arsye Kisha e Krishtit në ditën e sotme të 1 nëntorit i nderon të gjithë shenjtërit e Zotit me një festë të vetme – sepse veç e veç kurrë nuk mund t’ua japim nderimin që meritojnë.
E mos të harrojmë, besimtarë të dashur, se ndër këta shenjtërorë të Zotit, të cilët ne sot i nderojmë të gjithë së bashku, gjenden edhe shumë të parë tanë, madje edhe shumë prej atyre që janë varrosur ndër varreza tona që kemi në fshatra e qytete!
A thua nuk është e shenjtë ajo nënë, e cila me shumë sakrifica ka lindur, ka rritur dhe edukuar fëmijët e vet sipas ligjit të Zotit e sipas parimeve të fesë së vërtetë, dhe e cila – besnike në dashuri ndaj Zotit, ndaj burrit të vet, ndaj familjes së vet e ndaj të gjithë njerëzve me të cilët ishte në kontakt gjatë jetës tokësore – ka qendruar në rrugë të drejtë deri në vdekje? Nuk është nevoja që Kisha zyrtarisht ta shpallë të shenjtë një nënë të tillë. Atë vetë Zoti e ka lartësuar në nderin e shenjtërorëve.
A thua nuk është i shenjtë ai babë, i cili e ka shkrirë krejt jetën e vet për të ngritur dhe për të mbajtur familjen e ndershme dhe besnike, i cili ka qëndruar besnik jo vetëm në punë të mëdha, por edhe në ato më të vogla, të përditshme, dhe ia ka lënë familjes së vet dhe shoqërisë në trashëgim një shembull ndershmërie, besnikërie, urtie, mirëkuptimi, paqedashjeje, sinqeriteti dhe burrërie?
Pra, nuk janë të shenjtë vetëm njerëzit e mëdhenj dhe mrekullibërësit, por edhe ata më të vegjlit në sytë e njerëzve, por që kanë pasur dashurinë e madhe dhe zemrën e pastër, të cilën e sheh, e njeh dhe e shpërblen i madhi Zot, i cili e lartëson të voglin e përvujtë mbi të madhin krenar.
Por, vëllezër e motra, ne sot lutemi edhe për ata të parët tanë, të cilët nuk kanë arritur shkallën e lartë të shenjtërisë dhe që kanë nevojë për një pastrim të përkohshëm në purgator. Edhe të tillët janë shumë – shumë më tepër se sa ne kujtojmë. Sepse s’ka njeri të pastër para Zotit.
Zoti na pastron me vuajtje, me sëmundje, me sakrifica, me vetëflijime – e më në fund edhe me shumë hire të veta që aspak nuk i kemi merituar, por jemi bërë pjesëtarë të tyre duke i pranuar sakramentet e Kishës. Por prapëseprapë shumica e njerëzve vdesin para se të pastrohen plotësisht, para se të shenjtërohen në mënyrë të mjaftueshme për t’u bërë pjesëtarë të shoqërisë së shenjtërve në lavdinë e Mbretërisë qiellore. Për këtë arsye ata kanë nevojë për lutjet tona – dhe ne lutemi për ta, ia paraqesim Atit qiellor flinë e Krishtit në meshën e shenjtë, ndezim qirinj si simbol besimi në Krishtin e ringjallur dhe si simbol shprese në ringjalljen e të parëve tanë. Lutjet dhe sakrificat tona atyre u ndihmojnë shumë dhe neve nuk na dhimbet mundi në qoftë se mund t’u ndihmojmë sado pak. E, me hir të Zotit tejet të mëshirshëm, këto lutje dhe sakrificat tona u ndihmojnë jashtëzakonisht shumë.
Prandaj lutuni me gjithë zemër, jo vetëm sot dhe gjatë këtij muaji, të kushtuar shpirtrave të purgatorit, por edhe çdo ditë, gjatë krejt jetës – sepse këto vepra të mëshirshme Zotit i pëlqejnë shumë dhe janë të meritueshme jo vetë për shpirtrat për të cilët lutemi, por edhe për ne personalisht.
Të gjithë shenjtërve të Zotit nder e lavdi! Na ndihmoftë lutja dhe ndërmjetësia e tyre. Kurse për shpirtrat e purgatorit lutemi me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt:
– Jepua, o Zot, pushimin e pasosur!
– E u ndrittë drita e pambaruar!
– Pushofshin në paqe!
– Ashtu qoftë. Amen!
Përgatitur nga Etërit Françeskanë të Gjakovës







All the contents on this site are copyrighted ©.