2010-10-30 17:05:59

Një sinod në shërbim të të gjithëve: editorial i atë Lombardit.


(31.10.2010 RV)“Nuk duhet të heqim kurrë dorë nga paqja. Edhe kur na duket e largët. Paqja është e mundur! Është urgjente!”. Këtë thirrje të fuqishme bëri të dielën e kaluar Benedikti XVI, gjatë Meshës përfundimtare të Sinodit të posaçëm për Lindjen e Mesme, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit, në praninë e Etërve sinodalë. Kësaj ngjarje, ndikimi pozitiv i së cilës do ndjehet për një kohë të gjatë, Atë Federiko Lombardi i kushton editorialin e tij të fundjavës për ‘Octava Dies”, e përjavshme informative e Qendrës Televizive të Vatikanit:RealAudioMP3

“Ç’i kërkon në mesazhin e tij Sinodi atyre që qeverisin popujt e Lindjes së Mesme? Që të krishterët “të mund t’i gëzojnë të gjitha të drejtat, si të gjithë nënshtetasit e tjerë, të kenë lirinë e ndërgjegjes e të kultit, të jenë të lirë në fushën e arsimit e të edukimit si dhe në përdorimin e mjeteve të komunikimit, sepse janë nënshtetas të vërtetë, të lindur e të rritur në ato troje, të lidhur ngusht me atdheun e tyre, të gatshëm për t’i kryer besnikërisht të gjitha detyrat e tyre kombëtare.
Ç’thotë Sinodi, duke iu drejtuar bashkësisë ndërkombëtare?
Se “ne e dënojmë dhunën e terrorizmin, prej ngado që të vijë, dënojmë edhe çdo lloj ekstremizmi fetar. Dënojmë çdo formë të racizmit, të antisemitizmit, të antikristianizmit e të urrejtjes kundër Islamit e u bëjmë thirrje të gjitha feve, t’i pranojnë përgjegjësitë e tyre për nxitjen e dialogut ndërmjet kulturave e qytetërimeve të rajonit tonë e të mbarë botës.
Fjalët e përfaqësuesit hebraik, të atij sunit e atij shiit, u ndoqën me vëmendje të madhe, me kënaqësi e u duartrokitën nxehtësisht. Anëtarët e Sinodit u shprehën krejt lirisht, duke paraqitur me ndershmëri e qetësi kuadrin e përgjithshëm të gjendjes së bashkësive të tyre kishtare. Sigurisht ishte fjala për një asamble me rrënjë të thella në një tokë të tronditur nga tensione e nga probleme dramatike, por natyra kishtare e kësaj mbledhjeje të madhe, motivimi fetar, shpirtëror, e ndihmoi të ngrihej në një perspektivë më të lartë, ta shikonte këtë situatë me sy të frymëzuar nga realizmi i shpresës, që lind nga feja e jetuar në këtë historinë tonë.
Urojmë që të gjithë ta kuptojnë e ta pranojnë, që Sinodi t’i japë frytet e veta, posaçërisht për Kishën, por edhe për të gjithë Popujt e Lindjes së Mesme, pikërisht për të gjithë!".







All the contents on this site are copyrighted ©.