2010-10-30 17:07:34

Një martir i ri, Silard Kostandin Bogdanfì, viktimë e diktaturës komuniste, shton radhët e të Lumëve të Kishës katolike.


(31.10.2010 RV)Dje, në Oradea Mare të Rumanisë, kardinali Péter Erdë, kryeipeshkëv i Eshtergom-Budapestit, kryesoi liturgjinë me Ritin e Lumnimit të martirit Silard Kostandin Bogdanfì, ipeshkëv i Oradea Mares të latinëve, martir i diktaturës komuniste. I pranishëm edhe kryeipeshkvi Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e shenjtorëve.
I lumi i ri lindi më 12 shkurt 1911, në lokalitetin e Feketeto/Crna Bara, asokohe dioqeza hungareze e Csanadit, aktualisht Dioqeza e Zrenjanit në Serbi, nga prindër me profesion mësues. Familja u transferua disa herë, derisa zu vend në Timishoara, ku Silardi kreu shkollën e mesme, duke ndjerë edhe thirrjen për rrugën meshtarake. Vijoi, prandaj, studimet e filozofisë e të teologjisë e u shugurua meshtar. Nisi misionin në famullinë, që sot pati fatin ta shikojë në nderimet e elterit, kushtuar Shën Terezës së Krishtit Fëmijë. Më 14 shkurt 1949, kryeipeshkvi Gerald Patrik O’Hara, nunc apostolik në Rumani, e shuguroi në fshehtësi ipeshkëv, në kapelën e nunciaturës, në Bukuresht. E, duke e lyer me Bagmin Shenjt, i tha: “Vëlla, po të shuguroj për martirizim”.
Kështu titullohet edhe shkrimi, që i kushton Martirit të ri gazeta vatikanase ‘L’Osservatore Romano”, shkruar nga kolegia e programit rumun të Radio Vatikanit, Anca Martinas:
“Ishte data 2 tetor 1953, kur ipeshkvi me origjinë hungareze, Silard Bogdanfì, vdiste si martir në burgun komunist të Aiud, qytet rumun i Transilvanisë. Ishte vetëm 42 vjeç. U varros në një gropë të panjohur, që nuk është gjetur ende e ka shumë mundësi të mos gjindet kurrë më. Prandaj askush nuk mund të lutet mbi varrin e tij. E kjo, sepse të vdekurit e burgut Aiud, ashtu si të burgjeve të tjera politike të regjimit, varroseshin natën. Flakeshin në gropa të përbashkëta ose të veçanta, gjithnjë pa emër, nga të cilat nuk mbetej asnjë gjurmë. Quhet ‘Rrëmaji i skllevërve” varreza ku e flakën trupin e martirit. Këtu, pas shembjes së komunizmit, u ngrit një monument me emrin “Golgota e Aiudit”. Në zemër të tij, lartohet një kryq vigan. Është kryqi i Krishtit. Mbështet mbi një mori kryqesh të tjera: janë të martirëve, që e ndoqën, duke mbartur besnikërisht kryqin e tyre, deri në dhurimin e gjakut për Zotin e kryqëzuar, e deri në nderimet e elterit”
Kjo histori dhimbjeje e feje, që u rijetua dje në Katedralen e Oradea Mare, në Rumani, na kujton martirët e komunizmit në Shqipëri, të mbyturit në tortura të tmerrshme, si ato që shkaktuan vdekjen e Ipeshkvit Silard Bogdanfì, meshtarët e pavarr, njerëzit zemërbutë e të përvujtë, të gatshëm për t’u shërbeyer të gjithëve, veç regjimit, sepse u kërkonte të tradhtonin Atë, të cilit i kishin kushtuar jetën: Krishtin, e të adhuronin diktatorin.
Për Kishën e Rumanisë, shkruhet në ‘L’Osservatore Romano’, kjo është një ngjarje e madhe, sepse Silard Bogdanfì është i pari, ndërmjet shumë ipeshkvijve e meshtarëve martirë, viktima të regjimit totalitar, që shpallet i Lum.T’i lutemi të ndërmjetësojë për martirët shqiptarë, që t’i shikojmë sa më shpejt në nderimet e elterit, sa janë ende gjallë ata që i njohën, që i deshën, që ndoqën rrugën e tyre të besnikërisë, pa asnjë kompromis! Duke vijuar të paguajnë haraç për qëndrimin e tyre heroik.







All the contents on this site are copyrighted ©.