2010-10-30 17:08:24

Më 1 nëntor Kisha kujton Gjithë Shenjtorët, dëshmitarë të një jete të ndritur. Më 2 nëntor të vdekurit


(31.11.2010 RV)Shenjtorët dhe të vdekurit e nxisin njeriun modern të mendojë për domethënien e jetës së pasosur, realitet që sot shpesh herë shikohet si mitologji e vjetruar. Posaçërisht në sa kremtohen festat liturgjike të 1 e 2 nëntorit. Për të qenë shenjtorë, nuk duhet të kesh karizma të jashtzakonshme. E enigma e vdekjes na bën të shpresojmë se jeta jonë nuk merr fund këtu, mbi tokë.
Të njohur ose të panjohur, të nderuar prej shekujsh ose të fshehur në palët e së përditshmes, Shenjtorët janë modeli njerëzor që e afron qiellin me tokën. Janë Burra e Gra, bij të Kishës, që zgjodhën Krishtin, duke i pranuar, pa u fshehur, të gjitha pasojat, edhe më dramatiket. Dëshmuan kështu se caku i lartë i jetës së krishterë, është cak për të gjithë njerëzit, e jo vetëm për njerëzit e jashtzakonshëm; për të gjitha kohët, e jo vetëm për një epokë.
Jehon përsëri pyetja e lashtë e një njeriu të njohur të Zotit, Shën Bernardit nga Kiaravale: ‘Ç’vlerë kanë për Shenjtorët lavdërimi e nderimi ynë?’. Përgjigja, e dhënë njëmijë vjet më parë, nuk e ka humbur aspak aktualitetin: ‘Shenjtorët nuk kanë nevojë për nderimet tona, por duke menduar për ta - thoshte Shën Bernardi – më ndizen në shpirt dëshira të mëdha:
Ja, pra, domethënia e solemnitetit të sotëm: duke pasur parasysh shembullin e ndritur të Shenjtorëve, të zgjojmë në zemrën tonë dëshirën e madhe për të qenë si Shenjtorët, të lumtur, sepse jetojmë pranë Zotit. Të jesh shenjt do të thotë të jetosh afër Zotit, të jetosh në familjen e tij. Kjo e vërtetë, e ripohuar me forcë nga Koncili II i Vatikanit, na propozohet përsëri sot në mënyrë solemne.
Por ç’kuptojmë me fjalën shenjtëri? E ç’duhet të bëjmë për të qenë shenjtorë?
Kësaj pyetjeje mund t’i përgjigjemi së pari duke u nisur nga ç’nuk duhet të bëjmë: për të qenë shenjtorë, nuk duhet të bëjmë gjëra të jashtzakonshme, as të kemi karizma që pak e kush i ka. Vjen më pas përgjigjja për atë që duhet të bëjmë: duhet t’i shërbejmë Krishtit, ta dëgjojmë e ta ndjekim pa u trembur nga asnjë vështirësi. Shenjtëria kërkon përpjekje të vazhdueshme, por është e mundur për të gjithë sepse, më tepër se vepër e njeriut, është dhuratë e Zotit.
Sigurisht madhështia e dhuratës vë në dukje, për kontrast, varfërinë e mjeteve tona. Por siguria që na jep feja e krishterë, larg çdo mburrjeje, qëndron në faktin se Zoti na solli në botë për të qenë shenjtorë, si shenjtorët që kremton nesër Kisha, si figurat e Besëlidhjes së Vjetër: që nga Abeli i drejtë tek Abrahami “patriarku besnik”.

Shenjtëria, që bashkon besimtarët mbi tokë me realitetet hyjnore, kalon gjithnjë përmes kryqit. Këtë na sjell në mend përkujtimi i të vdekurve, që Kisha do ta kremtojë pasnesër. Në kohën tonë, më shumë se në të kaluarën, njerëzit merren aq shumë me gjërat tokësore, sa nganjëherë harrojnë se Zoti është protagonist i historisë e i vetë jetës sonë. Por jeta njerëzore, për vetë natyrën e saj, priret nga një cak shumë më i lartë, që qëndron mbi këtë natyrë: e pamposhtur është etja e njeriut për drejtësi, për liri, për lumturi të plotë.
Para enigmës së vdekjes, shumkush dëshiron e shpreson t’i gjejë përsëri të dashurit e vet në jetën e përtejme. Jeta e amshuar, për ne të krishterët, nuk është thjeshtë një jetë që s’ka fund, por sidomos një cilësi e re e jetës, shkrirë plotësisht në dashurinë e Zotit, që çliron nga e keqja e nga vdekja!







All the contents on this site are copyrighted ©.