Duke shfletuar kalendarin, Kisha përkujtoi sot Shën Alfonsin Rodriguez dhe martirin
shqiptar, Gjon Pantalinë.
(31.10.2010 RV)Si rrallë herë, sot kalendari kishtar gërshetohet me kalendarin
historik kombëtar, duke na kujtuar dy figura të shquara të Kishës katolike, një shenjtor
lindur në Spanjë, Shën Alfonsin Rodriguez e një martir lindur në Prizren të Kosovës,
Shërbëtorin e Zotit, Vëllaun Gjon Pantalia, emri i të cilit është radhitur ndërmjet
atyre që flijuan jetën për dashuri të Krishtit. Shenjti spanjoll e Martiri shqiptar
kanë shumë gjëra të përbashkëta: ishin të dy jezuitë, të dy fratela, të dy të ngarkuar
t’i shërbenin bashkësisë rregulltare për të gjitha nevojat materiale, të dy njerëz
kulture.
Shën Alfonsi Rodriguez lindi më 25 korrik 1533 në Segovia
të Spanjës në një familje që merrej me tregtimin e leshit dhe me endjen e stofave.
Studioi me sukses në kolegjin e jezuitëve të Alkalasë dhe, në moshën 23 vjeç, pas
vdekjes së së t'et, u detyrua të kthehej në shtëpi, për të drejtuar ndërmarrjen e
vogël familjare. Dukej sikur gjithçka ishte kundër tij: puna nuk i interesonte fare,
brënda pak vjetësh i vdiq bashkëshortja me të cilën ishte martuar në vitin 1560 e,
menjëherë pas saj, humbi të dy fëmijët dhe gjithë pasurinë e trashëguar. U bë i
ngjashëm me Jobin e Shkrimit Shenjt. I shtypur nën peshën e padurueshme të jetës,
më 1569 Alfonsi u transferua në Valencia, ky hyri ndër jezuitë. Më 1571 u dërgua
në Kolegjin e Malit të Sionit të Palma di Majorkës, vend në të cilin jetoi shenjtërisht
deri më 31 tetor 1617, ditë kur u nis për të filluar një jetë më të mirë. I lumnuar
më 1825, Alfonsi do të shpallej shenjt më 1888. La trashigim shkrimet, në të cilat
shpreh besimin e tij të thellë e pa kushte. Shkruan Shenjti: “Ah, o Zot, po të dija
e po të mundja, do të të shërbeja si të shërbejnë të gjitha krijesat e qiellit e të
tokës të marra së bashku” dhe “Dashuria më e madhe është t’i bindesh Zotit”. Martiri
Gjon Pantalia, që jetoi në kushte shumë më të vështira se Shën Alfonsi, e dëshmoi
këtë thënie të sivëllaut spanjoll me jetën e, sidomos, me vdekjen e tij heroike,
prandaj ndonëse nuk është shpallur ende ‘i Lum’, Shërbëtori i Zotit është radhitur
në Kalendarin e Kishës katolike me epitetin “Martir në Shqipëri”. Në sa flasim
për të, kujtojmë se më 10 nëntor 2002, në katedralen e Shkodrës, u hap procesi dioqezan
për lumnimin e 40-martirëve, dëshmitarë të fesë, pothuajse të gjithë të vrarë gjatë
persekutimit komunist. Ndërmjet tyre, edhe tre jezuitë: Atë Gjon Fausti, misionar
jezuit italian; Atë Daniel Dajani dhe fratel Gjon Pantalia, jezuitë shqiptarë. Gjon
Pantalia lindi në Prizren më 2 qershor 1887 në një familje të thjeshtë. Ishte kushëri
i nënë Terezës nga ana e s’ëmës. Fëmijërinë e rininë e parë i kaloi duke punuar
si çirak në pazarin e Prizrenit. Në vitin 1906, sapo i kishte mbushur 19 vjetët, hyri
në Shoqërinë e Jezuitëve. Noviciatin e bëri në Itali e pikërisht në Soresina, në provinçën
e Kremonës. Ndonëse eprorët shprehën dëshirën që t’i vijonte studimet për t’u bërë
meshtar, Gjoni deshi të mbetej thjeshtë vëlla-ndihmës, që në Shqipëri njihej me emrin
lajk ose fratel. E, si ndodh shpesh që më të fundmit bëhen pikëmbështetje për
të gjithë bashkësinë në të cilën jetojnë, Fratel Gjoni u bë frymëzues i të gjitha
veprimtarive shoqërore e kulturore të Kolegjit, njeri-kyç i Institutit të Jezuitëve
të Shkodrës, që kishte emrin e Françesk Saverit e që u bë fidanishte e meshtarëve,
avoketërve, politikanëve e mësuesve të ardhshëm. Kishte një mori detyrash: profesor,
këshilltar pedagogjik, shkrimtar, drejtues shpirtëror. Shpëtoi nga arrestimi shumë
nga nxënësit e tij shqiptarë, që kërkoheshin në fillim nga ushtritë pushtuese italiane
e më pas nga ato gjermane. U përpoq, ndonëse tepër i mbikqyrur, të shpëtonte
objekte me vlerë të Kolegjit e të gjente avoketër që pranonin të mbronin meshtarët
e arrestuar gjatë persekutimit të mëpasëm komunist, i cili që nga viti 1945 vuri në
shenjestër gjithë bashkësinë katolike e sidomos jezuitët. Po ai s’u tremb: përkundrazi.
Bëri çmos që veprimtaritë shkollore të vijonin sa më mirë që të ishte e mundur, duke
acaruar kështu edhe më keq regjimin e kuq e ateist. Ky acarim kundër tij arriti kulmin
pas arrestimit të Atë Gjon Faustit dhe të rektorit të Kolegjit, Atë Daniel Dajanit,
sepse në këtë periudhë, më shumë se kurrë, frateli mbeti përgjegjës moral i Shoqërisë
së Jezuitëve në Shqipëri. Për të shmangur reagimet, u arrestua pa bujë në tetorin
e vitit 1946. U torturua mizorisht. E rrahën, e munduan me korrent elektrik, i ngulën
spica druri të ndezura ndër thonj: provuan mbi trupin e tij gjithë koleksionin e mjeteve
të torturës shpikur nga sigurimi famkeq i shtetit diktatorial. Pastaj e mbyllën në
kuvendin françeskan të Gjuhadolit, shndërruar në burg. Qelia e tij ishte ngjitur me
Kishën, por ai nuk qe më në gjendje as të gëzohej për këtë, sepse i shkatërruar fizikisht
nga torturat. Pavarësisht nga kjo gjendje, provoi të ikte por, i ligësht siç ishte,
gjatë përpjekjeve për t’u larguar, ra nga dritarja dhe theu të dyja këmbët: e lanë
të vuante pa u kujdesur fare për të. Ditët e fundit të jetës i kaloi mes dhimbjesh
çnjerëzore, deri sa i mbylli sytë si martir më 31 tetor 1947. Që atëherë nuk kanë
kaluar qindra vjet e Fratel Gjoni nuk u martirizua në amfiteatrot e lashtësisë. Kanë
kaluar vetëm 59 vjet e ndoshta-ndoshta janë endè gjallë ata që ngritën amfitetarot
moderne, duke u bërë shkaktarë për ta radhitur në radhët e lumnueshme të martirëve
- Jezuitin shqiptar, Vëlla Gjon Pantalinë.