Një nga shkrimtarët më të mëdhenj modernë shqiptarë, me Pendë e me Rruzare!
(29.10.2010 RV)Objektet personale të shkrimtarit Martin Camaj, ardhur nga Gjermania,
u ekspozuan këto ditë në Qendrën e Studimeve Albanologjike, në Tiranë, bashkë me
fotografi në familje e gjatë udhëtimeve të shumta. Ekspozita e pazakontë përkon me
dhënien, më në fund, të Urdhrit "Nderi i Kombit" nga Presidenti i Republikës, zoti
Bamir Topi. Këndi më tërheqës është ai i objekteve personale, që zonja Erika Camaj
solli me vete në Tiranë nga Arkivi i Familjes në Gjermani: është një makinë shkrimi,
një stilolaps e, objekti më i pazakontë për ekspozitat kushtuar shkrimtarëve shqiptarë,
rruzarja me Kryqin e Krishtit të kryqëzuar. Katolikët e dinë se ky nuk është objekt
muzeal, nuk përdoret për të stolisur ndonjë kënd studioje. Rruzarja tregon se shkrimtari,
ndër më të mëdhenjtë modernë shqiptarë, e përdorte për t’u lutur. Se, duke iu kushtuar
pendës, nuk e kishte harruar kurrë Rruzaren! Do të duhej të zbrisnim më se një
shekull në kohë, për të parë rruzaren e një shkrimtari tjetër gjenial: Atë Gjergj
Fishtës. Në se nuk do të ishte përlarë nga dallgët e kohës. E Fishta jo vetëm e mbajti
gjithnjë Rruzaren në brez, aty ku heronjtë e ‘Lahutës’ së tij kishin koburet e vezmet
e fishekëve, por edhe e këndoi në varg Lajmin e madh të Engjëllit të Tënzot: “...
Kur qe, hapen dyert e qiellit E nji Engell fletesh s-prarueme, Tuj
u djergë per rreze t’diellit Kah kto zajet e shemtueme Asaj Vashe
ia behë në shpí Edhe i thotë: “Falemi Mri! Lajmi i Zotit me ty
flet!” 1 E, po të zbrisnim edhe më thellë në shekujt e mugët
të gjuhës e të letrave tona, kur pupla e rruzarja ishin dy objektet kryesore mbi shkritoret
e një plejade të lumnueshme, që na la trashëgim fillesat e shkronjës shqipe, do të
shikonim, pranë ndonjë rruzareje kokërrmadhe, puplën e Buzukut e, doemos, edhe puplën
e argjendtë që gratë e Shkodrës i patën dhuruar Elena Gjikës me dorë të një burri
tjetër me pendë e me rruzare, Atë Leonard De Martinos. Sa interesante do të ishte
një ekspozitë me pendat e rruzaret e syzet e shkrimtarëve më të mëdhenj të letërsisë
shqipe! Po të ishim një popull, që di t’i ruajë reliket e veta! Natyrisht, ekspozita
do të shkonte deri në vitin 1944. Askush nuk pret të shikojë në vitrinat e një ekspozite
të tillë, rruzaret e shkrimtarëve të realizmit socialist. Madje as pendat! Ndoshta
do të bënte perjashtim vetëm stilografi i çkatarruar i Lasgush Poradecit, me të cilin
shkruante, i shtrirë në krevatin e tij, që i shërbente edhe si studio, natyrisht me
gjyzylykët, që i zbrisnin në maje të hundës. E pranë pendës stilografike e syzeve,
në vend të rruzares, mund të vendosnim ‘Shoqen e pandarë të ditëve të zymta”, Biblën
e tij me kapakë blu, në gjuhën gjermane. E, të mos harrojmë se përtej gardhit të
hekurt ishte edhe Ernest Koliqi! Argument për t’u trajtuar më gjërë ky, ndërsa
ne po mjaftohemi të theksojmë se ekspozita u hap të martën e kaluar (26. 10. 2010)
në Qendrën e Studimeve Albanologjike, me rastin e dekorimit të Martin Camajt me titullin
"Nderi i Kombit". Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, që nuk pati kohë për ta vizituar
ekspozitën, por lumturisht gjeti kohë për dekorimin, e nderoi Camajn me urdhrin "Nderi
i Kombit" (pas vdekjes) me motivacionin: "Personalitetit të mirënjohur që dha një
kontribut të rëndësishëm në studimin e gjuhës dhe kulturës kombëtare dhe në njohjen
e shkencave albanologjike në botë; shkrimtarit të shquar që krijoi nga veprat më të
mira të letërsisë moderne shqipe". Ne do të shtonim “shkrimtarit të shquar
modern, me pendë e me Rruzare!”. Ky titull i jepet shkrimtarit me rastin e
85-vjetorit të lindjes, një përvjetor që u kujtua me një konferencë shkencore nga
Qendra e Studimeve Albanologjike, me botimin e veprës së plotë letrare në 10 vëllime
nga Dega e Albanologjisë në Universitetin e Mynihut dhe me këtë ekspozitë me objekte
personale e fotografi, hapur në Qendrën e Studimeve Albanologjike, duke mbyllur veprimtaritë
për 85-vjetorin e ditëlindjes së Camajt.
1 Atë Gjergj Fishta, “Nuncjata”,
Vallja e Parrizit, Shtypshkroja “Atë Gjergj Fishta, Shkoder 1941, fq. 24-25