2010-10-29 18:21:24

Atë Lombardi për shtegtimin e Papës në Spanjë: feja, arti e familja, në qendër të vizitës në Santiago të Kompostelës e në Barcelonë.


(29.10.2010 RV)Sot paradite, në Sallën e Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi organizoi një takim kushtuar shtegtimit apostolik të Benediktit XVI në Spanjë, programuar për datat 6 e 7 nëntor 2010. Papa do të shkojë në Santiago të Kompostelës, me rastin e Vitit Shenjt Kompostelan, si dhe në Barcelonë, për kushtimin e tempullit të Familjes së Shenjtë. Është shtegtimi i 18-të ndërkombëtar i Benediktit XVI, i dyti në Spanjë, vend të cilin Papa do ta vizitojë rishtas vitin e ardhshëm, me rastin e DBR-së të Madridit.RealAudioMP3
Feja, arti, familja, Evropa: këto janë temat kryesore, në qendër të vëmendjes së Papës gjatë shtegtimit të tij të ri në Spanjë. Një vizitë kryesisht baritore, nënvizoi atë Lombardi, në të cilën Papa do të jetë shtegtar ndërmjet shtegtarëve për t’u lutur mbi varrin e Shën Jakut Apostull. Por edhe shtegtim i shumëpritur, vijoi të shpjegonte drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, sepse Jozef Racinger i viziton për herë të parë Santiagon e Barcelonën:
“E prandaj është shumë i kënaqur, që do të shkojë, sepse është një shtegtim tejet i dëshiruar. Madje një herë pati folur edhe me të vëllanë për të shkuar së bashku, por nuk munden ta realizojnë këtë dëshirë”.
Në se shtegtimi do të jetë tema kryesore e ditës, që Papa do ta kalojë në Santiago të Kompostelës, në vitin jubilar, vizitën në Barcelonë, ku do të kremtojë kushtimin e veprës së jashtëzakonshme të Gaudí-së, do ta karakterizojë binomi art-fe. Bëhet fjalë për kryeveprën e një artisti, si Gaudí, që është edhe model i jetës së krishterë e që pritet të shpallet i Lum, mbasi çështja e lumnimit të tij është në vijim e sipër. Atë Lombardi u ndal posaçërisht tek vlerat fetare, e jo vetëm artistike, të tempullit të Sagrada Familia që, pas kushtimit, do të marrë titullin e bazilikës minore. Bazilikë do të thotë “Shtëpia e Zotit”, ndërsa minore apo të vogla quhen të gjitha bazilikat e shpërndara nëpër viset e botës, për t’i dalluar nga “Bazilikat e mëdha”, dinjitet që e kanë vetëm bazilikat e Romës, ndërmjet të cilave, Bazilikat e Princave të Apostujve, Shën Pjetrit e Shën Palit:
“Gjithçka ka një kuptim tejet të thellë, sepse Gaudí e kishte bërë thellësish të vetën Liturgjinë, Shkrimin Shenjt. Kështu kjo ngrehinë është në linjen e katedraleve të mëdha të Mesjetës, që e përmbledhin mbarë gjithësinë rreth elterit, rreth misterit të Kishës e pranisë së Hyjit”.
Atë Lombardi pohoi, më pas se, duke vizituar, në shtegtimin e tij, bashkësitë autonome të Galicisë e të Katalonjës, Papa do të përdorë gjatë fjalimeve edhe fjalë nga gjuha galego e katalane, që vijojnë të fliten edhe sot e kësaj dite në këto vise.
Nuk do të mungojnë edhe çastet e takimeve me autoritetet më të larta të vendit, me Familjen Mbretërore të Spanjës, me princat e Asturieve, kryeministrin Zapatero e udhëheqësin e opozitës, Rajoy.
Për të theksuar karakterin baritor të vizitës, para se të niset, Papa do të vizitojë institutin katolik “Neu Déu”, që merret me asistencën e fëmijëve handikapatë. Përsa i përket disa kritikave, lidhur me shpenzimete këtij shtegtimi, atë Lombardi sqaroi se vizita është tejet e thjeshtë, prej këndej, edhe me shpenzime krejt të thjeshta.







All the contents on this site are copyrighted ©.