2010-10-28 17:54:47

Kalendari kishtar përkujton sot Shën Simon Zelotin dhe Shën Judë Tadeun, apostuj e martirë.


(28.10.2010 RV)Shën Simoni i ditës së sotme është i dyti me këtë emër ndër dishepujt e Jezusit. I pari ishte Simoni, të cilit Jezusi vetë ia ndërroi emrin e ia bëri “Çefa”, domethënë Pjetër. Ndërsa Simoni që përkujtojmë sot quhej ndryshe Kananitasi, ose Zeloti. Emri i tij del në listat e apostujve, por Libri i Shenjtë nuk na jep ndonjë hollësi mbi të. E kështu që nuk dihet asgjë e sigurtë në lidhje me këtë apostull. Sipas traditës ka qenë misionar si gjithë apostujt e tjerë, madje disa janë të mendimit se pati arritur deri në Angli për ungjillëzim dhe se më pas u martirizua nga Persët.
Po ashtu edhe Shën Juda Tade, nuk duhet ngatërruar me Judë Iskariotin i cili e tradhëtoi Jezusin. Përkundrazi Shën Juda, i mbiquajtur “Tade” – nga fjala aramaike “Thad”, që do të thotë i ëmbël, i mëshirshëm, i dashur, zemërgjerë, ishte vëllai i Jakut, apostullit tjetër. Të dy këta ishin të bijtë e Alfeut dhe Marisë të Kleofës. Alfeu vetë ishte vëllai i Shën Jozefit, prindit e kujdestarit të Jezu Krishtit. Kështu që Juda Tade dhe Jaku mund të quhen kushërinj të Jezusit.
Judën Tade e njohim nga pyetja që i drejton Jezusit gjatë Darkës së Mbrame (Gjn, 14.24: “Zot, pse duhej që ti të na shfaqeshe ne e jo të gjithë botës?”, por edhe nga letra e tij ku qorton nxitësit e ngatërresave të cilët i quan “re pa shi që era i çon andej e këndej.”
Sidoqoftë, Shën Juda Tade, ndonëse nderohet pak, është një nga shenjtërit me fuqi të jashtëzakonshme, dhe tradita e quan Pajtor të Pastrisë dhe të Çështjeve që duken të Pazgjidhshme. E në fakt tradita nuk gabon sepse vetë Jezusi, kur iu shfaq në vegim Shën Brigjidës, e cila gjendej në një hall të madh, i tha t’i drejtohej këtij Shenjti që të ndërhynte për të. Shën Brigjida iu lut Shën Judës Tade dhe sakaq problemi që e mundonte u zgjidh.








All the contents on this site are copyrighted ©.