2010-10-28 16:03:58

Kajro: nisi takimi ndërfetar në vazhdën e Takimit të Riminit.


(28.10.2010 RV)RealAudioMP3 Fryma e miqësisë që i jep tonin çdo vit Takimit të Riminit do të karakterizojë edhe takimin dyditor të Kajros, që u hap sot e mbyllet nesër, ndërmjet të krishterëve koptë dhe myslimanëve. Takimi i quajtur “Bukuria, hapësira e dialogut ndërmjet kulturave”, është organizuar nga përfaqësuesit myslimanë të kulturës egjiptiane. Bën pjesë ndër ta edhe prof. i gjuhës arabe pranë “Amerikan Juniversiti” Uael Faruk, pjesëmarrës edhe në takimet e Riminit. Mbi arsyet që i shtynë autoritetet e kulturës egjiptiane ta organizojnë këtë takim, në mikrofonin tonë flet përgjegjësi për Lindjen i organizatës “Bashkim dhe Çlirim” Dom Ambroxho Pizoni:

Përgjigje: Kanë mbetur të mrekulluar kur kanë ardhur në Rimini dhe kanë parë edhe anët e tjera të veprimtarive që zhvillon organizata “Bashkim dhe Çlirim” dhe nga tema e “bukurisë”. Kjo gjë i ka prekur thellësisht fijet e zemrave të tyre. E zemrën Zoti na e ka dhënë pikërisht për të njohur bukurinë si vend ku shkelqen e vërteta, sikurse na mëson tradita e krishterë. Kështu që kanë vënë re se në Takimin e Riminit janë pritur dhe nderuar për atë që janë. E na kanë thënë: “Kemi nevojë për këtë bukuri, sepse këtu në Takimin e Riminit na pritën, na deshën dhe na dëgjuan ashtu siç jemi. Prandaj, për këtë përvojë bukurie, për këtë takim të vërtetë ku mund të lindë edhe dialogu, ka nevojë edhe historia e jonë, qytetërimi ynë, tradita myslimane në Egjipt.”

Pyetje: Prof. Faruk flet për nevojën e diversitetit brenda dialogut, në mënyrë që dialogu të jetë autentik dhe se zhdukja e diversitetit nuk mund të mbështetet...

Përgjigje: Themeli është ky: nuk mund ta takoj atë tjetrin sepse e kuptoj që ai tjetri nuk është si unë. Pikërisht në këtë polarizim të pashmangshëm krijohet një ndërgjegjësim i ri për veteveten dhe një njohje e re e atij tjetrit. Si të them, kjo është pak si kripa që i jep shije jetës, e cila përndryshe do të ishte kthyer në një rrafsh të mërzitshëm dhe të padurueshëm. Nga takimi me atë tjetrin buron edhe një njohje e re e vetvetes, dhe këto vite në marrëdhëniet me shumë nga pjesëmarrësit në Takimin e Riminit, të cilët vijnë nga të gjitha anët e botës, me kulturë dhe bindje fetare të ndryshme, kemi përsëritur edhe një herë dëshminë për të vërtetën që jep kjo ngjarje.

Pyetje: Nesër pasdite do të flitet për zemrën në Takimin e Kajros, për atë gjë që na shtyn të dëshirojmë gjëra të mëdha...

Përgjigje: Kjo bëhet pikërisht për faktin se ne, por edhe atyre, na u duk se duke i shkuar deri në fund këtij arsyetimi, pra, mbi natyrën e zemrës dhe të misionit të saj në histori, është diçka vendimtare. Menduam se është themelore për të krijuar një mundësi tjetër për takim, akoma më të gjerë, me të gjithë ata që po marrin pjesë në takimin e Kajros. Edhe për ne, të flasësh për zemrën përbën një sfidë. Do të thotë t’i hapesh një faze të re të njohjes dhe të misterit që është Krishti, i cili vepron siç po e shohim me sytë tanë, në një mënyrë krejtësisht të paparashikueshme. Takimi i Kajros nuk është përgatitur në tavolinë, por ja që po zhvillohet dhe duke u zhvilluar dhe duke iu përgjigjur nevojës sonë më të thellë për bukurinë e së vërtetës, po na hap një horizont të ri. Po na bën të jemi më të vërtetë në marrëdhënie me realitetin.







All the contents on this site are copyrighted ©.