2010-10-28 17:54:31

Indonezi: Rritet numri i viktimave të cunamit dhe të tërmetit 7.7 ballësh Rihter.


(28.10.2010 RV)Sa vjen e rritet numri i viktimave që shkaktuan cunami dhe tërmeti 7.7 ballësh i shkallës Rihter, në Indonezi. Autoritetet e Xhakartës njoftuan se numri i të vdekurve arriti në 343 ndërsa të humburit janë 338. Ndërkaq, në arqipelagun Mentauai, përballë Sumatrës, filluan të mbërrijnë ndihmat e para, kurse në ishullin e Xhavës po varrosen të vdekurit që shkaktoi shpërthimi i vullkanit Merapi, gjithsej 33 viktima. Më hollësisht nga Indonezia, na njofton përfaqësuesi i Karitasit italian Mateo Amigoni:


Përgjigje: Gjendja sa vjen e bëhet më e rëndë. Flitet për 500 shtëpi të dëmtuara rëndë dhe afro katër mijë të pastrehë. Zona e Mentauait, përballë Padangut, nga ku po flasim, gjendet 200 km nga porti më i madh, prandaj është shumë e vështirë për të shkuar në këtë vend. Janë 12 orë lundrim dhe në këtë periudhë të viti, kur ka shumë shira, bëhet akoma më e vështirë. Ra tërmeti dhe atë natë rendëm jashtë, në shi, por pastaj në televizion thanë se gjithçka ishte në rregull. Vetëm një ditë më vonë nisën të vijnë mesazhet e para me celularë të famullitarëve dhe të motrave që na lajmëronin se kishin humbur, fillimisht 7 vetë, pastaj u bënë 20 e deri tashti në shifrat e fundit. Është përnjimend e vështirë të kuptojmë ndonjë gjë më shumë. Sot u nis anija e dytë me ndihma nga Karitasi i këtushëm, i Padangut. Ne, si Karitas italian, që në çastet e para iu jemi gjendur pranë kolegëve tanë dhe po i ndihmojë edhe tani. Anija që u nis ka ndihmë të shpejtë, pra ujë të pijshëm, çadra, rroba, diçka për të ngrënë, bidona për të mbledhur ujin e pastër e kështu me radhë.

Pyetje: Cila është emergjenca më e madhe në këto çaste?

Përgjigje: T’iu sigurojmë një strehë të pastrehëve. Një prej famullitarëve të ishujve Mentauai na tha se po shkonte për të parë se cila është gjendja në ato zona të thella. Pastaj kemi edhe rrezikun e epidemive sepse, kur kalon ndonjë ditë, nëse uji nuk është i pastër, shfaqet edhe ky rrezik. Edhe barnat po i sjellin. Duhet thënë se qeveria ka nisur anije ushtarake me materiale dhe sende të nevojës së parë bashkë edhe me organizata të tjera. Karitasi i Padangut, punon prej vitesh në ishujt Mentauai që janë shumë të varfër. Nuk ka rrugë të brendshme dhe nga një ishull tek tjetri mund të shkohet vetëm me anije.

Pyetje: A ka lajme në lidhje me vullkanin Merapi? Cila është gjendja në ato zona?

Përgjigje: Edhe në zonën e vullkanit Merapi – që gjendet më në lindje të ishujve Mentauai, afro dy kilometra – situata është mjaft e rëndë. Ka rënë hi i ndezur flakë. Karitasi vendor po ndihmon të shpërngulurit. Flitet për 15 tanimë, ose 20 mijë që janë strehuar nga Karitasi vendor nëpër çadra. Ka nevojë për ujë, ushqim, tenda dhe veshmbathje, por edhe për maska kundër hirit vullkanit, kolir për sy dhe barna për kollën. Këto janë gjërat që nevojiten në këto çaste.

Pyetje: Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare për të dhënë ndihmesën e nevojshme për t’i lehtësuar sadopak vuajtjet e atyre që janë dëmtuar nga përmbytjet në Indonezi. Cila është thirrja që bën Karitasi i atyshëm?

Përgjigje: Si dje, si sot, televizionet indoneziane transmetuan thirrjen e Papës dhe mesazhin që shpreh ngushëllimet e Atit të Shenjtë për viktimat e fatkeqësive natyrore, këtu në Indonezi. Kjo është diçka shumë interesante sepse Indonezia është një vend me shumicë myslimane por, sidoqoftë ndihmesa e Karitaseve vendore dhe i Karitasit italian, - që i çojnë ndihma pa dallim atyre që kanë nevojë, - njihet e pranohet. Thirrjet që po bëjmë në këto çaste janë për mbledhjen e fondeve. Edhe Karitasi italian po bën thirrje sepse çdo euro më tepër mund të shndërrohet në një çadër, në një bidon me ujë ose benzinë. Kjo është me të vërtetë një mënyrë për t’i ndihmuar ata që u goditën nga cunami, është një mënyrë për t’u dhënë diçka për të ngrënë dhe një shtëpi, në të ardhmen, atyre që tani gjenden nëpër tenda dhe që duhet t’i shmangen tërbimit të vullkanit.








All the contents on this site are copyrighted ©.