2010-10-27 18:45:04

Në audiencën e përgjithshme, thirrja e Papës për Indonezinë e Beninin; katekizmi për Shën Brixhidën dhe urimi që Evropa të ushqehet nga rrënjët e saj të krishtera.


(27.10.2010 RV)Solidaritet për Indonezinë e dëmtuar rëndë nga katastrofat natyrore, e edhe për Beninin e përmbytur nga vërshimet. Përfundoi me një thirrje të dyfishtë, audienca e përgjithshme e Benediktit XVI, mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e 30 mijë besimtarëve e shtegtarëve. Papa ia kushtoi katekizmin Brixhidës së Suedisë, shenjtore e shekullit XIV, mistike e madhe, bashkëpajtore e Evropës e shembull i shkëlqyer i besnikërisë bashkëshortore.RealAudioMP3

Një sulm i trefishtë: nga tërmeti, cunami e shpërthimi vullkanik, e ka goditur drejt në zemër një vend, të prekur kohët e fundit nga fatkeqësi tejet të mëdha. Benedikti XVI i shprehu afërsinë e tij Indonezisë, e cila numëron të vdekurit, rrëmbyer nga dallgët, që vërshuan me tërbim mbi ishullin e Sumatrës, pa harruar edhe fatkeqësitë e shtetit afrikan të Beninit, prej javësh përballë një situate katastrofike, krijuar nga përmbytjet:
Familjarëve të viktimave u shpreh ngushëllimet e mia më të thella për humbjen e të dashurve, duke e siguruar mbarë popullin indonezian se është i pranishëm në lutjen time. Jam po kaq pranë popullsisë së Beninit, dëmtuar rëndë nga përmbytjet e vazhdueshme, që lanë shumë njerëz pa strehë e pa kushtet më të domosdoshme higjieniko-shëndetësore. I lutem Zotit t’i bekojë e t’i ngushëllojë beninasit, që vuajnë, si dhe mbarë kombin e tyre. Bashkësisë ndërkombëtare i kërkoj të përpiqet për t’u dhënë ndihmën e nevojshme e për t’u lehtësuar mundimet atyre që vuajnë nga përmbytjet”.
Para thirrjeve, në Sheshin e Shën Pjetrit, ndriçuar nga rrezet e ëmbla të diellit vjeshtarak, Papa mbajti katekizmin, në italisht e në shumë gjuhë të tjera. Ia kushtoi Shën Brixhidës së Suedisë e ‘jetëve të saj të shumta’, siç u shpreh vetë Benedikti XVI. Grua e martuar një herë, vejushë, mistike, shenjtore e pajtore e Evropës, pastaj. Gjatë katekizmit, Ati i Shenjtë i përshkoi një nga një këto faza të ndryshme, jo aq për të vënë në dukje ngjitjen nga posht-lart, sa për të dëshmuar se jeta e krishterë, pavarësisht nga thirrja që mund të ketë njeriu, të çon gjithnjë në udhën e shenjtërisë.
E lindur në vitin 1303 në një vend të gadishullit skandinav, që ishte bërë i krishterë prej 300 vjetësh, Brixhida, pohoi Papa, e nisi jetën si bijë e një familjeje të krishterë, për ta vijuar si bashkëshorte e nënë e tetë fëmijëve. Martesa e saj qe e gjatë, e qetë, e lume. 28 vjet me radhë ajo e ushqeu vatrën e saj familjare me vlerat e Ungjillit:
Brixhida, e udhëhequr shpirtërisht nga një rregulltar i ditur, që e nxiti të studiojë Shkrimin e Shenjtë, ushtroi një ndikim shumë pozitiv mbi familjen e cila, falë pranisë së saj, u bë ‘kishë e vërtetë shtëpijake”. Kjo periudhë e parë e jetës së Shën Brixhidës na ndihmon të vlerësojmë atë, që sot mund ta quajmë përshpirtëri e vërtetë bashkëshortore: dorë për dorë, me ndihmën e Sakramentit të Martesës, bashkëshortët e krishterë mund të ecin të sigurt në udhën e shenjtërisë”.
Ashtu si ndodhte shpesh dje, e siç ndodh edhe sot, vërejti Papa, ishte Brixhida ajo që, me ndjeshmërinë e delikatesën e gruas, e ndihmoi të shoqin, Ulfin, të ecte përkrah saj në rrugën e fesë. Prej këndej, urimi i Atit të Shenjtë:
“Uroj që edhe sot Shpirti i Zotit t’i frymëzojë bashkëshortët e krishterë të ecin në rrugën e shenjtërisë, për t’i treguar, kështu, botës, sa e bukur është martesa, kur frymëzohet nga vlerat e Ungjillit: nga dashuria, dhëmbshuria, ndihma e anasjelltë, lindja dhe edukimi i fëmijëve, gatishmëria për të jetuar me dhimbjet e me gëzimet e botës, fryma e thellë e solidaritetit, pjesëmarrja në jetën e Kishës”.
Duke nisur nga viti 1341, kur mbeti e vejë, jeta e Brixhidës pësoi një ndryshim rrënjësor. Hoqi dorë nga mundësia për t’u martuar rishtas e thelloi më tej lidhjen e saj me Zotin. Prej këndej, vërejti Benedikti XVI, lindi përvoja e gjatë dhe e larmishme e zbulesave hyjnore, që buruan nga kundrimi i Mundimeve të Krishtit, pikëmbështetje kryesore shpirtërore e Shenjtes. Por Brixhida e kishte krejtësisht të qartë, sqaroi Papa, se kjo karizëm ishte në shërbim të Kishës:
Pikërisht për këtë arsye, jo pak nga zbulimet e saj i drejtoheshin, në formë qortimesh, edhe të ashpra, besimtarëve të kohës, pa përjashtuar as autoritetet fetare e politike, duke u kërkuar ta jetonin me koherencë jetën e krishterë; por këtë e bënte gjithnjë me respekt e besnikëri të plotë ndaj mësimeve të Kishës, posaçërisht të Pasardhësit të Shën Pjetrit Apostull”.
Brixhida, shpesh shtegtare - kujtojmë se në vitin 1371 shkeli edhe në Tokën e Shenjtë - themeloi një Urdhër rregulltar me dy degë, mashkullore e femërore, nën autoritetin e një abateshe. Një fakt ky, nënvizoi Papa, që nuk duhet të na çuditë aspak:
“Faktikisht, në traditën e madhe të krishterë, gruas i njihet një dinjitet i posaçëm e, gjithnjë sipas shembullit të Marisë, Mbretëreshës së Apostujve, edhe një vend i veçantë në Kishë që, ndonëse nuk është shugurim i mirëfilltë meshtarak, mbetet po aq i rëndësishëm për rritjen shpirtërore të bashkësisë. Përveç kësaj, bashkëpunimi ndërmjet grave e burrave të shuguruar, duke respektuar gjithnjë thirrjen e tyre, ka një rëndësi të dorës së parë në botën e sotme”.
Për këto arsye, përfundoi Benedikti XVI, Brixhida u bë shumë shpejt figurë e shquar në historinë e Kontinentit të Vjetër:
“Duke e shpallur pajtore të Evropës, Papa Gjon Pali II uroi që Shën Brixhida, e cila jetoi në shekullin XIV, kur krishtërimi perëndimor nuk ishte plagosur akoma nga përçarja, të ndërmjetësojë pranë Zotit për të nxjerrë hirin aq të shumëpritur të bashkimit të plotë të të gjithë të krishterëve. Të lutemi, prandaj, të dashur vëllezër e motra, duke kërkuar edhe ndërmjetësimin e Shën Brixhidës, dishepulle besnike e Zotit e bashkëpajtore e Evropës, për këtë ndjet, që e kemi aq për zemër, e edhe për Evropën, që të mos harrojë se duhet të ushqehet gjithnjë nga rrënjët e saj të krishtera”.
Në përfundim të katekizmit, Papa përshëndeti në mënyrë të posaçme shtegtarët e ardhur nga Sulmona, në Vatikan, për t’i kthyer Atit të Shenjtë vizitën e korrikut të kaluar. Motrat e Gjakut të paçmuar të Jezu Krishtit, më pas, të pranishme në Romë, për lumnimin e Alfonsa Kleriçit si dhe rregulltaret brixhidine, mbledhur në kapitullin e tyre të përgjithshëm. Papa i uroi motrat e Shenjtores, së cilës i kushtoi katekizmin e sotëm, që nga mbledhja e tyre, në vijim, të lindin propozime të reja për gjallërimin e jetës ungjillore të mbarë institutit.







All the contents on this site are copyrighted ©.