2010-10-27 16:36:17

Haiti: OKB-ja shqetësohet për mundësinë e përhapjes së kolerës


(27.10.2010 RV)Në Haiti, drama e kolerës ka shkaktuar mëse 270 të vdekur e rreth 3600 të sëmurë. OKB-ja denoncon faktin se virusi mund të përhapet edhe në kampet e të shpërngulurve, që janë ngritur pas tërmetit të 12 janarit të kaluar. Mbi gjendjen aktuale në Haiti, të dëgjojmë përgjegjësin e Agjensisë Italiane për përgjigjen ndaj emergjencave (Agire), Stefano Elero, i cili ndodhet në vendin karaibik:RealAudioMP3
Në këtë çast, ekziston frika që kjo situatë të kthehet në terren për përhapjen e epidemisë në disa dhjetra mijëra vetë. Një milion persona në Haiti jetojnë në kushte shumë të këqia, siç denoncon drejtori i Zyrës së OKB-së për koordinimin e ndihmave humanitare. Po përpiqemi ta kufizojmë epideminë në zonat, ku ka shpërthyer dhe të shmangim përhapjen e saj në kryeqytetin Port-o-Prens, ku është përqëndruar pjesa më e madhe e të shpërngulurve. Po kurohen të sëmurët dhe po shpërndajmë material higjienik e informativ për ata që jetojnë në kampe. Nëse epidemia përhapet, do të jetë e vështirë t’i bëjmë ballë!
Paradoksalisht, u desh kolera që të ndizen edhe një herë dritat e mediave mbi Haitin, i cili pavarësisht se u dëmtua shumë nga tërmeti i 12 janarit, gati po harrohej…
Pas reagimit të jashtëzakonshëm në janar, me financime e ndihma për emergjencën, tani problemi kryesor është se njerëzit jetojnë akoma nëpër kampe. Kemi amulli politike në nivel lokal, sepse po afrohen zgjedhjet presidenciale, ndërsa bashkësia ndërkombëtare e sheh Haitin si nga dritarja. Ka premtuar shumë fonde, por akoma nuk kanë mbërritur. Do të ishte i nevojshëm presioni ndërkombëtar mbi qeverinë haitiane, ose një strategji më e qartë rindërtimi, e cila të përballojë fazën pas emergjencës, për t’i dhënë një banesë këtij numri të madh njerëzish, që jetojnë akoma në tenda.
Përse nuk është ushtruar ky presion?
Është e qartë, kemi të bëjmë me një lojë tepër delikate ndërmjet palëve. Komisioni i ngarkuar për rindërtimin kryesohet nga ish-presidenti amerikan, Bill Klinton dhe nga kryeministri haitian, Zhan-Maks Beleriv: faktikisht, ekziston vetëm një projekt-strategji për ndërtimin e banesave, por jo edhe një plan zbatimi. Problemi i madh i pronësisë së tokës, që akoma nuk është zgjidhur, nuk lejon zbatimin e asnjë strategjie.







All the contents on this site are copyrighted ©.