2010-10-26 14:26:36

“Një familje e vetme njerëzore”: Mesazh i Papës për Ditën botërore të Emigrantit dhe të Refugjatit


(26.10.2010 RV)“Një familje e vetme njerëzore”. U paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit, mesazhi i Papës për Ditën e ardhshme botërore të Emigrantit dhe të Refugjatit, që do të kremtohet më 16 janar 2011.
Benedikti XVI kërkon të reflektohet mbi fatin e emigrantëve dhe të refugjatëve në shoqëri gjithnjë e më tepër shumëetnike e shumëkulturore. Të gjithë kanë të drejtë të përdorin të mirat e kësaj toke, nënvizon Ati i Shenjtë. Nga njëra anë, Kisha u njeh njerëzve të drejtën e emigrimit në kërkim të një jete më të mirë, por, nga ana tjetër, pranon edhe se shtetet mikpritëse duhet të mbrojnë kufijtë e tyre, të përcaktojnë flukset e emigracionit, gjithnjë duke respektuar dinjitetin e çdo njeriu.
Edhe emigrantët, thekson Papa, e kanë për detyrë të integrohen në vendin pritës, duke respektuar ligjet dhe identitetin e tij kombëtar. Në veçanti, shton Benedikti XVI, duhet treguar kujdes për gjendjen e refugjatëve dhe të emigrantëve, që detyrohen të largohen me forcë nga vendet e tyre, për shkak të dhunës e persekutimit. Respektimi i të drejtave të tyre, për të cilat bashkësia ndërkombëtare është impenjuar zyrtarisht; ndihma për të gjetur një vend ku të jetojnë në paqe e siguri, ku të punojnë e ku të ushtrojnë fenë e tyre – vëren Papa – është kusht për bashkëjetesën paqësore e për kontributin në ndërtimin e shoqërisë pritëse.
Në fund, Benedikti XVI bën thirrje që të tregohet kujdes i veçantë për studentët, që shkojnë nëpër universitete jashtë vendit. Ata janë krerët e ardhshëm të atdheut të tyre, ura kulturore dhe ekonomike ndërmjet kombeve, gjë që kontribuon në mënyrë të veçantë në formimin e “një familjeje të vetme njerëzore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.