2010-10-26 15:53:16

UNICEF: Kolerë në Haiti dhe Nigeri. Të paktën 1500 të vdekur që nga fillimi i vitit.


(26.10.2010 RV)Kështu bën të ditur UNICEF-i, sipas të cilit në vendin këtë vend afrikan është vënë re një rritje e konsiderueshme e rasteve, që janë trefishuar në krahasim me vitin e kaluar. Po ashtu në Haiti, numri i të vdekurve nga kjo epidemi ka arritur në 259, ndërsa të infektuarit janë 3500 në të gjithë ishullin. Situatë kjo që mund të bëhet dramatike në këtë vend që u rrënua nga tërmeti e ku pati 250 mijë të vdekur. Në mikrofonin tonë flet anëtarja e shtabit të emergjencave të “Mjekëve pa kufi”, Roza Krestani:
Përgjigje: Tashti për tashti mund të them se autoritetet vendore kanë shpallur gjendjen e epidemisë në veri të ishullit dhe rastet vazhdojnë të shtohen. Për momentin nuk ka vatra në zona të tjera.

Pyetje: A mos ka edhe në Port o Pres, në kryeqytet, raste infektimi?

Përgjigje: Po janë konfirmuar disa raste edhe në Port o Pres dhe këta janë individë që vijnë nga veriu, ku gjenden vatrat e deritanishme, në Artibonitë.

Pyetje: Ka edhe raste të tjera kolere nëpër botë. Për shembull në Nigeri janë sinjalizuar 1500 të vdekur që nga fillimi i vitit. Ju jeni të pranishëm edhe në këtë vend, apo jo?

Përgjigje: Po, jemi të pranishëm në Nigeri që nga fillimi i emergjencës së kolerës por edhe për shkaqe urgjencash të tjera. Këtë vit organizata “Mjekët pa kufi” po i bën ballë epidemisë së kolerës në Kamerun, Çad, Niger dhe në Papuazia e Zambia.

Pyetje: A ka ndonjë emergjencë të jashtëzakonshme edhe në Pakistan, pas vërshimeve e përmbytjeve të fundit?

Përgjigje: Ka pasur raste diarree akute në veri, gjithsej, pak a shumë, 4 mijë raste. Kjo lloj epidemie nuk ishte edhe aq e egër e shkaktoi më pak të vdekur. Për momentin, në Pakistan, përsa i përket kësaj lloj epidemie, gjendja është nën kontroll. Nuk ka më raste në veri e as në jug. Kemi, po, një numër të lartë rastesh me diarre që lidhen me higjenën e përditshme, por jo me raste kolere.

Pyetje: Çfarë i kërkoni ju bashkësisë ndërkombëtare? Si mund të ndihmohet organizata “Mjekët pa kufi” e cila po zhvillon disa beteja njëherësh në fronte të ndryshme?

Përgjigje: Nuk jemi shumë të kënaqur nga përgjigja që bamirësit tanë na kanë dhënë në lidhje me të gjitha emergjencat me të cilat po merremi. Kërkojmë që të vazhdojnë të na ndihmojnë, të na mbështesin ashtu si po na mbështesin. Nevojitet që bashkësia ndërkombëtare, përsa i përket Haitit, të përpiqet ta shtojë të gjithë mbështetjen që mund të jepet për higjenën, mbi të gjitha nëpër kampe. Njerëzit që jetojnë ende nëpër baraka dhe në kampet e refugjatëve, pas tërmetit që e shkatërroi këtë ishull, jetojnë akoma në kushte aspak higjenike prandaj ka rrezik të madh. Nevojitet që bashkësia ndërkombëtare të bëjë më shumë për këta njerëz, që kthehet situata normale, çka nuk përjetohet këtu që nga janari i këtij viti.







All the contents on this site are copyrighted ©.