2010-10-26 15:48:22

Imzot Veljò: Papa na këshillon të luftojmë kundër çdo forme të racizmit dhe të diskriminimit


(26.10.2010 RV)Mesazhi i Papës për Ditën e 97-të të Emigrantit e të Refugjatit u paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit nga presidenti i Këshillit Papnor për Baritorinë e Emigrantëve dhe të Endacakëve, imzot Antonio Maria Veliò si edhe nga zv.sekretari i të njëjtit dikaster, atë Gabriele Ferdinando Bentolio. Të dëgjojmë se ç’tha imzot Veliò mbi temën e Mesazhit të Benediktit XVI, “Një familje e vetme njerëzore”:
“Solidariteti njerëzor dhe bamirësia nuk duhet të përjashtojnë askënd nga bashkësia shumëngjyrëshe e personave, kulturave dhe popujve. T’i ndash gjërat me të tjerët nuk është ndonjë vepër mirësjelljeje ose bujarie, por detyrë ndaj anëtarëve të së njëjtës familje”.
Nga ana e tij, zv.sekretari i Këshillit Papnor për Emigrantët dhe Endacakët, atë Gabriele Bentolio u ndal në ndihmën, që i duhet dhënë refugjatëve, ndaj të cilëve, vuri në dukje me trishtim, ka shtete, që sillen mjaft keq:
“Vërtet, qëndrimi aktual i shumë vendeve duket sikur u kundërvihet marrëveshjeve të nënshkruara, duke shfaqur, nganjëherë, sjellje, që tregojnë frikën nga i huaji e, jo rrallë, maskojnë diskriminimin. Kështu, del në pah pabarazia gjithnjë e më e thellë ndërmjet impenjimeve të marra dhe zbatimit të tyre. Të gjithë e shohim se si gjehen të gjitha mënyrat për të mos marrë përsipër përgjegjësinë e pritjes dhe të mbështetjes së atyre, që kërkojnë strehë e mbrojtje humanitare”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, imzot Veliò theksoi rolin e Kishës në sensibilizimin e qeverive për çështjen e emigrantëve, të cilët duhen pranuar, sipas ligjeve të vendit mikpritës. Në veçanti, iu referua gjendjes së ciganëve në Francë dhe takimit të fundit ndërmjet Papës e presidentit francez Sarkozì:
“Mendoj se janë dy persona vullnetmirë, që kërkojnë zgjidhjen e problemeve, të cilat edhe Franca i pranon. Kush dëshiron t’i asimilojë romët? Nuk besoj Doktrina e Kishës. Askush nuk dëshiron t’i asimilojë. Por, ekziston dëshira për t’i kontrolluar disi, pasi nuk mund të pretendojmë të ekzistojnë etni, ose grupe, që u shpëtojnë kontrolleve të atyre, që duhet të sigurojnë rendin”.
Atë Bentoljo foli më pas për kushtet e vështira, në të cilat jetojnë refugjatët në kampet e Libisë. Kujtojmë se sipas marrëveshjeve të shteteve evropiane me liderin libik, Gedafi, klandestinët e kapur në ujrat e Mesdheut dërgohen mbrapsht në Libi, ku nuk ekziston asnjë kontroll mbi respektimin e të drejtave të njeriut:
“Jo gjithnjë shteti arrin të vendosë ekuilibrin ndërmjet të drejtës për përcaktimin e flukseve të emigracionit dhe respektimit të të drejtave themelore, të nënshkruara, që njohin para së gjithash, dinjitetin e çdo njeriu”.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.