2010-10-25 16:02:48

Kalendari i 25 tetorit përkujtoi Shën Krispinin e Krispinianin, martirë.


(25.10.2010 RV)Dy këpucarë, të lidhur ngusht me punën e tyre: kështu paraqiten Shenjtorët Krispini e Krispiniani në historinë e martirizimit të tyre. Prandaj prej shekujsh në shumë vende të Evropës këpucarët i nderojnë si pajtorët e tyre: e me ta, edhe të gjithë lëkurëpunuesit: saraçët, dorashkapunuesit, lëkurëregjësit. Kisha i kujton si martirë të mbytur për shkak të fesë në Galinë romake e pikërisht në Augusta Suessionum.
Në variantin e Okserrës të Martiriologut Jeronimian shenjtorët kujtohen më 25 tetor si martirë të Suasons, ku në shekullin VI ekzistonte një bazilikë e ngritur në nderim të tyre, për të cilën flet disa herë Gregori i Turit. Ndërsa në Gesta Regum Anglorum të Gulielmit nga Malmesbëri për të njëjtët martirë shkruhet se u varrosën në bazilikën e Shenjtorëve Gjoni e Pali mbi Çelio në Romë. Ky shënim konsiderohet si shtesë e mëvonshme, që u përdor si dëshmi për të vërtetuar gjetjen e varreve të Shenjtorëve. Në historinë e martirizmit të tyre, shkruar nga fundi i shekullit VIII, tregohet se dy shenjtorët, me origjinë romake, shkuan në Gali së bashku me shumë romakë të tjerë në kohën e Dioklecianit e, si u vendosën në Suasons, nisën të ushtronin zanatin e këpucarit, kryesisht për të ndihmuar të varfërit. Duke qenë të krishterë, nisën menjëherë të predikonin fenë e Krishtit. Sapo e mori vesh këtë, perandori Maksimian dërgoi Riziovarin t’i arrestonte e pastaj, sa me premtime, aq me tortura, t’i detyronte të mohonin fenë. U provuan mbi ta të gjitha mjetet, pa kurrfarë rezultati. Madje Riziovari, në kulmin e zemërimit, duke humbur kontrollin, ra në zjarrin që kishte ndezur për ta e u dogj vetë. Për t’u hakmarrë për ministrin e djegur, Maksimiani i dënoi edhe të dy shenjtorët me vdekje. Trupat e tyre u mbartën nga dy pleq dhe u mbajtën të fshehur deri në përfundim të persekutimit, kur u varrosen me nderime e mbi ta u ngrit bazilika e Suasons.
Pavarësisht nga të dhënat e pakta e kontradiktore, nuk ka asnjë dyshim se Krispini e Krispiniani janë martirë, që flijuan jetën për Krishtin gjatë persekutimit ushtarak në fund të shekullit III në Suasons, ku vijojnë të nderohen si shenjtorë vendas e prej ku disa nga reliket e tyre u mbartën në Romë.
Simboli i Martirëve këpucarë, veç palmës, është edhe këpuca.

 







All the contents on this site are copyrighted ©.