2010-10-24 16:30:20

Papa në përfundim të Sinodit: paqe e liri fetare në Lindjen e Mesme. Ungjillëzimi i ri, temë e asamblesë sinodale më 2012.


(24.10.2010 RV)Nuk duhet të heqim kurrë dorë nga paqja. Edhe kur na duket e largët. Paqja është e mundur! Është urgjente! Këtë thirrje të fuqishme bëri sot paradite Benedikti XVI gjatë Meshës përfundimtare të Sinodit të posaçëm për Lindjen e Mesme, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit, në praninë e Etërve sinodalë. Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë ripohoi se është e nevojshme të garantohet liria e vërtetë fetare, si dhe liria e ndërgjegjes, pa harruar vijimin e rrugës ekumenike e të dialogut me islamin. Më pas Ati i Shenjtë njoftoi se Sinodi, që do të mblidhet më 2012, do t’i kushtohet ungjillëzimit të ri. Ungjilli u lexua në latinisht e në greqisht, ndërsa besimtarët u lutën kryesisht për shembjen e mureve të paragjykimeve dhe të armiqësisë e për mbështetjen e të persekutuarve për shkak të Ungjillit:RealAudioMP3
“Nuk duhet të heqim dorë kurrë nga paqja, edhe kur na mungon. Paqja është e mundur. Paqja është urgjente!”.
Me këto fjalë Benedikti XVI përmblodhi shpresat, që u ngjallën nga Sinodi për Lindjen e Mesme. Ishte Sinod, që iu kushtua bashkimit me Jezusin dhe dëshmisë së dashurisë së Tij, kujtoi Papa, në të cilin ipeshkvijtë ndanë bashkë gëzimet e dhimbjet, shqetësimet e shpresat e të krishterëve të Lindjes së Mesme. Ata Papa i kujtoi vazhdimisht në reflektimet kushtuar punimeve të Asamblesë:
Mendja të shkon tek vëllezërit e motrat, që jetojnë në zonën e Lindjes së Mesme e që përballojnë situata tejet të vështira, nganjëherë të padurueshme, si për shkak të mungesave materiale, ashtu edhe për shkak se shpesh i lëshon zemra, i lodh gjendja e vazhdueshme e tensionit, i tmerron frika nga nesërmja. Fjala e Zotit sot na ndez edhe një dritë ngushëlluese shprese, atje ku i lartohet lutja”.
Lidhja ndërmjet lutjes e drejtësisë bëhet, atëherë, themelore, vijoi Papa, sepse britma e të varfërit dhe e të shtypurit arrin menjëherë para fronit të vetë Zotit, i cili dëshiron të ndërhyjë, për t’i kthyer të shtypurve ardhmërinë e lirë, horizontin plot me shpresë.
Më pas Benedikti XVI numroi sfidat e Kishës katolike në Lindjen e Mesme. E para është ajo e bashkimit të saj, si të brendshëm, ashtu edhe të jashtëm, që duhet të vijojë me bindje të thellë, duke i nxitur edhe besimtarët ta ndjejnë fort bashkimin me Kishën universale:
Kemi nevojë për përvujtëri, për t’i njohur kufizimet tona, gabimet tona e lëshimet tona, sepse vetëm kështu mund të formojmë vërtet një zemër të vetme e një shpirt të vetëm. Bashkimi më i plotë i brendshëm i Kishës katolike favorizon edhe dialogun ekumenik me Kishat e me Bashkësitë e tjera kishtare”.
Sfida e dytë lidhet me praninë e të krishterëve në Lindjen e Mesme: është e vërtetë, kujton Papa, se janë të pakët në numër, por nuk duhet harruar se mbartin Lajmin e Mirë të dashurisë së Zotit për njeriun, mbartin Fjalën e shëlbimit:
“Kjo fjalë shëlbimi (...) është e vetmja që mund ta copëtojë rrethin vicioz të hakmarrjes, të urrejtjes, të dhunës. Nga një zemër e pastruar, në paqe me Zotin e me të afërmim, mund të lindin propozime e nisma në shërbim të paqes, në nivel lokal, kombëtar e ndërkombëtar. Në një veprimtari të tillë, për realizmin e së cilës është e thirrur mbarë bashkësia ndërkombëtare, të krishterët, qytetarë me titull të plotë, mund e duhet të japin kontributin e tyre, me frymën e lumturive, duke u bërë ndërtues të paqes e apostuj të pajtimit, në dobi të mbarë shoqërisë”.
Prej shumë kohe, nënvizoi Benedikti XVI, në Lindjen e Mesme vijojnë pa ndërprerje konfliktet, luftërat, dhuna, terrorizmi. Paqja, dhanti e Zotit, është edhe rezultat i përpjekjeve kolektive: njerëzve vullnetmirë, institucioneve kombëtare e ndërkombëtare, sepse nuk duhet të heqim kurrë dorë nga paqja, edhe e sidomos, kur na mungon. Paqja është e mundur! Është urgjente:
“Paqja është kusht i domosdoshëm për jetën e denjë të njeriut e të shoqërisë. Paqja është edhe ilaçi më i mirë për të shmangur emigracionin nga Lindja e Mesme (...): të lutemi për paqen në Tokën e Shenjtë. Të lutemi për paqen në Lindjen e Mesme, duke u impenjuar që kjo dhanti, të cilën Hyji ua bëri njerëzve vullnetmirë, të përhapet në mbarë botën”.
Sfida e tretë e Kishës katolike në Lindjen e Mesme, theksoi akoma Papa, është promovimi i lirisë së vërtetë të fesë e të ndërgjegjes, shpesh tejet e kufizuar, ndërsa është e drejtë themelore e njeriut, prandaj çdo shtet është i thirrur ta respektojë, ashtu si duhet të respektojë kontributin që i japin të krishterët mbarë shoqërisë:
“Zgjërimi i kësaj hapësire të lirisë bëhet kërkesë e domosdoshme, për t’u garantuar të gjithë atyre, që u përkasin bashkësive të ndryshme fetare, mundësinë të jetojnë e ta praktikojnë fenë e tyre në liri të plotë. Ky argument, urgjenca dhe nevoja e të cilit u ripohua me forcë nga Etërit sinodalë, mund të bëhet objekt i dialogut ndërmjet të krishterëve e myslimanëve”.
Përveç kësaj, për t’iu përgjigjur nevojave të tjera të ngutshme të Lindjes së Mesme, e jo vetëm, Benedikti XVI njoftoi se Asambleja e ardhshme e përgjithshme e Sinodit të Ipeshkvijve , do t’i kushtohet Ungjillëzimit:
Vendosa t’ia kushtoj Asamblenë e ardhshme të përgjithshme të zakonshme, më 2012, temës: “Nova evangelizatio ad christianam fidem tradendam”, “Ungjillëzimi i ri për transmetimin e fesë së krishterë”.
Së fundi Papa i siguroi besimtarët e Lindjes së Mesme: “Nuk jeni kurrë vetëm, Selia e Shenjtë e mbarë Kisha ju shoqërojnë në çdo hap. Janë me ju!







All the contents on this site are copyrighted ©.