2010-10-24 16:34:53

Filloi dje Festivali IX ndërkombëtar i muzikës dhe i artit kishtar.


(24.10.2010 RV)Filloi dje Festivali IX ndërkombëtar i muzikës dhe i artit kishtar, kushtuar Shenjtërisë së Tij, Benediktit XVI, në pesëvjetorin e papnisë. Veprimtaritë nisën dje, në orën 17.00, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, me Meshën solemne, kryesuar nga kardinali Anxhelo Komastri, Kryeprift i Bazilikës e Mëkëmbës i përgjithshëm i Shenjtërisë së tij për Qytetin e Vatikanit.
Më pas u dha një koncert, interpretuar nga Kori i Katedrales së Shën Patrikut të Nju Jorkut, orkestra e Katedrales së Maincit dhe nga Kori i dhomës “Belkanto”.
Koncert tjetër, ai që u dha në Kishën e Shën Injacit (sot, 24 tetor, ora 17.00), me pjesëmarrjen e korit të Katedrales së Shën Patrikut të Nju Jorkut, i cili ekzekutoi muzikë nga Mozart, Brukner e Palestrina.
Po sot, 24 tetor, në orën 21.00, në Bazilikën e Shën Gjonit, në Lateran, u dha koncerti i drejtuar nga Mathias Breitschaft. Ansambli ekzekutoi muzikë të zgjedhur nga G. Gabrieli, Froberger, Richter, Wagner, R. Strauss, Schönberger e Hazell.
Kulmi do të arrijë nesër, e hënë, 25 tetor, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve të Romës, me Koncertin e Filarmonisë së Vjenës. Në program, kompozime të zgjedhura nga Mozart e Hajdn.
Manifestimi muzikor do të përfundojë në Bazilikën Papnore të Shën Marisë së Madhe, të martën, 26 tetor, ora 21.00, me ekzekutimin e veprave të Mendlsonit e të Gunosë, interpretuar nga Bach-Chor i Siegen, nga Filarmonia e Vestfalisë jugore dhe nga Orkestra Federale Renani veriore-Vestfali.









All the contents on this site are copyrighted ©.