2010-10-22 17:35:26

U hap në Romë faza dioqezane e Çështjes së lumnimit të kardinalit Van Thuan, dëshmitar i madh i fesë.


(22.10.2010 RV)Jeta e njërit nga dëshmitarët e mëdhenj të fesë në shekullin e kaluar, kardinalit Van Nguyen Van Thuân, që ndërroi jetë në vitin 2002, qysh sot është në qendër të vëmendjes, në fazën dioqezane të Çështjes për lumnimin e tij, hapur në Pallatin Lateranens, në Romë. Sot paradite, gjatë ceremonisë së rastit, e morën fjalën mëkëmbësi i përgjithshëm i Papës, kardinali Agostino Valini dhe kardinali Peter Turkson, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, detyrë që kardinali Van Thuân e kreu nga viti 1998, deri në vdekje. E, në këtë detyrë, vizitoi edhe Shqipërinë.RealAudioMP3
Ndërkaq, në Lateranense u mbajt ceremonia e dorëzimit të çmimit “Van Thuan 2010”, i cili sivjet iu dha Huan Somavia-s, drejtor i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës. Kjo e shumë nisma të tjera fetare e kulturore, do të vijojnë ta kujtojnë Kardinalin, që kaloi 13 vjet nga jeta i mbyllur në bimsat e regjimit ateist vietnamez, i cili më kot u mundua ta detyrojë të heqë dorë nga Krishti. Në birucë të burgut a në fronin e kardinalit, ai mbeti i njëjtë: Bir besnik i Zotit të kryqëzuar.
Na e kujton këtë një nga meditimet, që mbajti gjatë ushtrimeve shpirtërore të Kreshmëve, në vitin 2000, në Vatikan, me ftesë të Gjon Palit II. Ishte rrëfim mbi Kalvarin e tij, shtjelluar me një delikatesë e me një zjarr shpirtëror, i cili i la pa frymë ata, që e dëgjonin. Fjalët dymijëvjeçare të Shkrimit të Shenjtë, që citoi, fituan një peshë të re, peshën e atij, që e kishte mbartur Kryqin mbi shpinë, që kishte gjurmët e gozhdave në këmbë e në duar, që ishte shporuar drejt në zemër. Të njëjtat mbresa krijoi edhe në meditimin e fundit të këtyre Ushtrimeve shpirtërore, kushtuar dishepujve të Emmausit, që ndjejnë si u ngrohet zemra e si ua pushton shpirtin lumturia, kur marrin vesh se shoku i udhës ishte vetë Zoti:
Rruga e përshkuar me ta, na siguron edhe një herë se Ai është me ne, si dritë që ndriçon e zjarr që ngroh zemrat. Me rikthimin e Krishtit, trishtimi ynë bëhet gëzim, gëzim i madh, që askush tjetër nuk mund ta japë, veç Krishtit të ngjallur. Kur mëkatojmë, jemi të vdekur. Askush nuk kujdeset për të vdekurit, askush nuk merret me kufomat, kallur në varr. Nuk ngjallen më! Duket e pamundur, por Jezusi e bëri këtë. Na ngjalli përsëri. E prej këndej buron gëzimi ynë, shpresa jonë ".(18 mars 2000, meditim përfundimtar i Ushtrimeve shpirtërore të Kreshmëve)







All the contents on this site are copyrighted ©.