2010-10-22 17:34:49

Patriku Tval në Sinod: prania e shtegtarëve dëshmon se Toka e Shenjtë nuk është e braktisur.


(22.10.2010 RV)Punimet e grupeve të vogla, me porta të mbyllura, sot në Sinodin e ipeshkvijve për Lindjen e Mesme, që vijon në Vatikan me temën e ‘bashkimit e të dëshmisë”. Në program, studimi i propozimeve kolektive për dokumentet e fundit.
Pasdite u paraqit dhe u votua Mesazhi përfundimtar i Asamblesë.
Ndërkaq, gjatë dy javëve të punimeve, ipeshkvijtë nënvizuan detyrat më të rëndësishme të Kishës në Lindjen e Mesme: vënien në plan të parë të baritorisë për thirrjet meshtarake dhe inkurajimin e seminaristëve për mision.Nga salla e Sinodit, të krishterëve të mbarë botës iu drejtua ftesa për të vizituar Tokën e Shenjtë, ndërsa të krishterëve, që vijojnë të jetojnë në trojet e Jezusit, thirrja për të mos u larguar nga viset, ku u predikua për herë të parë Ungjilli, ndonëse vijojnë të gjakosen ditë për ditë nga dhuna. Për t’iu kundërvënë ikjes së familjeve të tëra të krishtera, Etërit Sinodalë ripohuan rëndësinë e shtegtimeve. Prania e shetegtarëve, theksoi patriku latin i Jeruzalemit, imzot Fuad Tval, është jetike për Kishën në Lindjen e Mesme. E, të mos harrojmë, një ndihmesë të tillë tashmë mund ta japin edhe shqiptarët, që i kanë nisur prej kohe shtegtimet në drejtim të Tokës Shenjte. Por, ta dëgjojmë ftesën e imzot Tval:RealAudioMP3

Përgjigje: - Duhet theksuar se prania e shtegtarëve do të thotë se bashkësia e krishterë, imja, jotja, në Tokën e Shenjtë, nuk është e braktisur. Prania juaj për ne ka rëndësi të madhe.

 
Pyetje: - Ju keni theksuar se duhet shmangur rreziku që Toka e Shenjtë të bëhet muze nën qiell të hapur...

Përgjigje: - Nuk do të bëhet kurrë, kurrë! Edhe në se e kam thënë, prapë e theksoj: nuk do të bëhet kurrë! Është Dikush, që thotë: “Mos kini frikë, jam me ju”. Duhet t’i marrim seriozisht këto fjalë të Jezusit: në se Ai është me ne, kush do të jetë kundër nesh? Nga kush do të kemi frikë? Kush mund të na krijojë trazira? Të ecim përpara, prandaj, të lutemi, të punojmë, të mikpresim, të duam e të gjitha këto t’i bëjmë krejt pa frikë, sepse Ai është me ne. Besimi ynë nuk buron nga rrethanat gjeo-politike, që vijojnë të jenë dramatike, edhe më të zeza se më parë. Ne jemi aty: Kishë e Kalvarit, por njëkohësisht, edhe Kishë që di të shpresojë; Kishë që gozhdohet, por edhe gëzohet; Kishë që vdes, por edhe që jeton, punon, përbun. Është Kisha e Ringjalles, se Ai është me Ne!







All the contents on this site are copyrighted ©.