2010-10-22 17:34:36

Papa ambasadorëve të Portugalisë, Sllovenisë dhe Ekuadorit: Kisha nuk mund të jetë asnjanëse, kur bëhet fjalë për të mbrojtur vlerat e aspiratat e njeriut.


(22.10.2010 RV)Ndihmesa e fesë për zhvillimin e shoqërisë, mbrojtja e jetës dhe e familjes, rëndësia që kanë rrënjët e krishtera të Evropës: ishin këto temat kryesore, që preku sot paradite Papa në audiencat me tre ambasadorë të rinj pranë Selisë së Shenjtë: atë të Sllovenisë, të Portugalisë e të Ekuadorit, të cilët i priti për paraqitjen e Letrave kredenciale. Benedikti XVI nënvizoi rishtas se Kisha nuk ka aspirata politike, por është e thirrur t’i shërbejë së mirë së përbashkët.

Në fjalën drejtuar ambasadorit të Ekuadorit, Luis Dositeo Latorre Tapia, Papa kujtoi vizitën në këtë vend, në vitin 1978, duke vënë, më pas, theksin, mbi rolin që luan feja katolike në zhvillimin e njeriut e të shoqërisë. E mira e përbashkët, vijoi Shenjtëria e Tij, duhet vënë gjithnjë mbi interesat e partisë e të klasës, si imperativ moral e pikë referimi për të gjithë qytetarët. Pa harruar se nuk mund të ketë pasuri të përbashkët universale, pa pasurinë shpirtërore e morale të njerëzve. Historia, vërejti Benedikti XVI, na mëson se mosnjohja e së vërtetës mbi njeriun, krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit, bëhet shpesh burim i padrejtësive dhe i totalitarizmave.

Ambasadorit të ri portugez, Manuel Tomás Fernandes Pereira, Ati i Shenjtë i kujtoi vizitën e tij apostolike në Portugali, majin e kaluar, për të ripohuar, më pas, se Selia e Shenjtë do të vijojë gjithnjë impenjimin e saj në shërbim të përparimit të gjithanshëm të njeriut e të popujve. Benedikti XVI theksoi në mënyrë të veçantë, se vështirësitë ekonomike nuk mund të kapërcehen, në se nuk vihen në plan të parë vlerat morale e shpirtërore. Kur Kisha punon me vetëdije për mbrojtjen e këtyre vlerave, kujtoi në vijim Papa, nuk e bën këtë për ambicie politike, por për t’i qëndruar besnike misionit, që ia besoi Themeluesi i saj hyjnor. Duke kujtuar Koncilin II të Vatikanit, Benedikti XVI nënvizoi se Kisha, falë misionit e natyrës së saj, nuk lidhet me asnjë formë të veçantë kulture njerëzore, sistemi politik, ekonomik ose shoqëror. Është pikërisht ky universalitet, që e mundëson të krijojë lidhje të ngushta ndërmjet bashkësive e kombeve të ndryshme, në se ato kanë besim në të dhe i sigurojnë lirinë e nevojshme për kryerjen e misionit të saj. E misioni i Kishës është shndërrimi i zemrave, inkurajimi i të krishterëve për t’i pranuar plotësisht përgjegjësitë e tyre si qytetarë, gjithnjë në shërbim të së mirës së përbashkët.

Me ambasadoren e Sllovenisë, Maja Maria Lovrençiç Svetek, Papa foli kryesisht për integrimin e kombit slloven në Bashkimin Evropian, duke theksuar se rrënjët e krishtera luajtën një rol të dorës së parë për bashkimin e Sllovenisë. Kjo trashëgimi, vijoi të kujtojë Benedikti XVI, u bë tharm ngushëllimi e shprese edhe në çastet më të vështira e më të dhimbshme të historisë, duke e ndihmuar Slloveninë të ecë e sigurtë në rrugën drejt pavarësisë, pas shembjes së regjimit komunist, periudhë gjatë së cilës Selia e Shenjtë i qëndroi shumë pranë popullit slloven. Papa shprehu kënaqësinë për ligjin e miratuar kohët e fundit në ndihmë të njerëzve, që kanë humbur shtëpinë e punën dhe ripohoi impenjimin e Selisë Apostolike në mbrojtje të paqes e të drejtësisë, të kapërcimit të mosmarrëveshjeve e të thellimit të marrëdhënieve ndërtuese.


 







All the contents on this site are copyrighted ©.