Në Sinodin për Lindjen e Mesme, që do të përfundojë të dielën, theksohet vlera e pazëvendësueshme
e Shkrimit të Shenjtë.
(22.10.2010 RV)Sinodi i ipeshkvijve, kushtuar Lindjes së Mesme, do të përfundojë
të dielën, me Kapelën Papnore, kremtuar në Bazilikën e Vatikanit. Po jehona e kësaj
ngjarjeje të madhe për Kishën universale, do të vijojë për shumë kohë, sidomos në
ato vise, ku lindi Princi i Paqes, por ku nuk ka paqe. Gjatë gjithë zhvillimit
të Sinodit, u nënvizua se Shkrimi Shenjt duhet të jetë në qendër të vëmendjes, në
përpjekjen për kërkimin e për sigurimin e kësaj paqeje, aq të dëshiruar nga të gjitha
palët në konflikt. “Fjala e Zotit, me zanafillë në Lindjen e Mesme, duhet të jetë
në bazë të çdo veprimtarie edukative, mësimore e edhe të çdo tipi të dialogut, që
të ndërtojmë, kështu, qytetërimin e dashurisë e të mirësisë për të gjithë. Kështu
u shpreh, gjatë njërës nga seancat e Sinodit, imzot Bostros Fahim Auad Hana,
ipeshkëv titullar i Mareotes dhe i Kuries së koptëve të Aleksandrisë, në Republikën
Arabe të Egjiptit. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:
Përgjigje: -
Shkrimi i Shenjtë lindi në Tokën tonë të Lindjes së Mesme. Aty u frymëzua e prandaj
Bibla pasqyron qartë karakteristikat e kulturës sonë, të gjuhëve tona. Shkrimi i Shenjtë,
Fjala e Zotit, është fryt i dialogut të Zotit me njeriun e, prandaj, mund e duhet
të jetë edhe mësuese e dialogut ndërmjet katolikëve, të krishterëve dhe vëllezërve
të tjerë, jo të krishterë, në tokën tonë. Shkrimi i Shenjtë është mësues i qytetërimit
të dashurisë, qytetërimit të Ungjillit, qytetërimit në të cilin njeriu e do, e respekton
njeriun.
Pyetje: - Mund të jetë një pikë takimi edhe me fetë e tjera...
Përgjigje:
- Po, për shembull, me myslimanët, sepse Libri i tyre i shenjtë, thotë
për ne se jemi “ata të Librit”, ata që besojnë në Libër, e Libri është bazë e dialogut
dhe e mirëkuptimit ndërmjet nesh.
Pyetje: - Pra, ju i ftoni të gjithë
t’i rikthehen, me më shumë vëmendje, Shkrimit të Shenjtë...
Përgjigje:
- Sigurisht. Është thirrje, që u drejtohet të krishterëve, për të rizbuluar
pasurinë, thellësinë e mesazhit hyjnor. Burim, ky, i pashterrshëm i forcës hyjnore,
ku mund të shuajmë etjen; atë etje, që na mban në jetë, pa të cilën nuk mund të jetojmë.
Vërtet në Lindjen e Mesme ka ende shumë vështirësi, por kërcënimi i vërtetë nuk vjen
vetëm nga fakti që jemi pakicë. Vjen kryesisht nga fakti se nuk jetojmë, ashtu si
besojmë; feja e jeta jonë nuk janë një gjë e vetme, e pandarë.
yetje:
- Cilat janë, sipas jush, pengesat kryesore ndërmjet njeriut e Shkrimit Shenjt?
Përgjigje:
- Tekstet nuk kuptohen si duhet. Është e vërtetë se Bibla paraqet karakteristikat
e kulturës sonë. Por të mos harrojmë, janë të dymijë vjetëve më parë! Prandaj theksoj
se kemi nevojë për specialistë, për njerëz që i studiojnë Tekstet e, më e rëndësishmja,
që i meditojnë, që bëjnë lectio divina, sepse është kjo, që e ushqen vërtet shpirtin
e të krishterit.