2010-10-21 15:38:58

Sinodi për Lindjen e Mesme paraqet listën e propozimeve përfundimtare


(21.10.2010 RV)Me paraqitjen e listës së vetme të Propozimeve përfundimtare, përfundoi sot paradite asambleja e 12-të e përgjithshme e Sinodit të ipeshkvijve për Lindjen e Mesme, i cili vazhdon në Vatikan mbi temën e “bashkimit dhe të dëshmisë”. Lista, akoma e përkohshme, do të diskutohet në grupet e vogla e do të votohet të shtunën.
Tri temat e mëdha që vërehen në këto propozime janë: prania e krishterë në Lindjen e Mesme, bashkimi kishtar dhe dëshmia. Ipeshkvijtë analizojnë gjendjen e persekutimit të të krishterëve, për të cilën i kërkohet ndihmë Bashkësisë Ndërkombëtare, sidomos për arritjen e paqes në rajon.
Më pas, flitet për çështjen e emigracionit të brendshëm e të jashtëm, duke u bërë thirrje besimtarëve të mos i shesin pronat e tyre në atdhe. Gjithashtu, sugjerohet inkurajimi i shtegtimeve, formimi i seminaristëve për misionin, mbrojtja juridike dhe humanitare e punëtorëve emigrantë.
Përsa i përket bashkimit kishtar, etërit sinodalë kujtojnë se ekumenizmi është vepër e Shpirtit Shenjt, lavdërojnë punën e lëvizjeve kishtare, që veprojnë në bashkëpunim me ipeshkvijtë lokalë, kërkojnë mbështetje për baritorinë e thirrjeve, unifikimin e datave të Krishtlindjes e të Pashkëve për të gjithë të krishterët dhe vendosjen e një feste vjetore për martirët e Kishës Lindore.
Qendror, inkurajimi i jetës murgare dhe kundruese si edhe mbështetja e grave, rregulltare ose jo, në shërbim të familjes, të edukimit e të shëndetit. Ipeshkvijtë e ngrenë zërin për vlerësimin e katekizmit, që Ungjilli të propozohet pa frikë e pa provokime. Kujdes i veçantë tregohet për mbrojtjen e Gjithësisë, për mas mediat, për misionin, familjen, Doktrinën shoqërore të Kishës e liturgjinë: të gjitha fusha, nënvizon Sinodi, që duhen rinovuar e gjallëruar në kontekstin bashkëkohor.
E më tej: në listën e Propozimeve përfundimtare zë vend edhe dialogu ndërfetar, që duhet forcuar, duke e sqaruar të kaluarën me aftësinë për të kuptuar e për të falur. S’ka vend për fanatizmin e ekstremizmin, për antisemitizmin e antijudaizmin, për fondamentalizmin e dhunën në emër të fesë, theksojnë ipeshkvijtë. Të krishterë, hebrenj e myslimanë të punojnë sëbashku për lirinë, drejtësinë dhe paqen.
Lista e Propozimeve ia beson Zojës së Bekuar krejt Lindjen e Mesme. Po Virgjërës së Shenjtë i kushtohet edhe dhurata, që u dha sot Papa të gjithë pjesëmarrësve në Sinod. Është një medaljon bronxi, ku riprodhohet një detaj i “Ngjitjes së shën Marisë në qiell” të Tiepolos.








All the contents on this site are copyrighted ©.